
Shkëndija pret Shkupin të mërkurën në një duel festiv mes dy skuadrave shqiptare, ku kuqezinjtë synojnë fitoren për të ruajtur kreun e tabelës.
Ndeshja:
Shkëndija vs Shkupi
Xhiroja e gjashtëmbëdhjetë
Stadiumi i qytetit në Tetovë
E mërkurë, 27 nëntor, ora 13:00
Në prag të festës kombëtare të 28 Nëntorit dhe menjëherë pas Ditës së Alfabetit Shqiptar, ndeshja mes Shkëndijës dhe Shkupit sjell një përballje vëllazërore, jo vetëm në fushë por edhe në tribuna, ku pritet spektakël nga tifo-grupet “Ballistët” dhe “Shvercerat“.
Kuqezinjtë vijnë nga një fitore shumë e rëndësishme në Manastir kundër Pelisterit (1:0), ku krahas suksesit në fushë, treguan edhe qetësi ndaj provokimeve në bazë etnike, duke i dhuruar Pelisterit disfatën e parë si vendas këtë sezon.
Tashmë vëmendja është te Shkupi, me Shkëndijën që kërkon maksimumin për të ruajtur pozitën e parë, që aktualisht e ndan me Gostivarin dhe Sileksin, me pikë të barabarta.
Kundërshtari
Shkupi udhëton drejt Tetovës pas një humbjeje 2:0 në Çair nga Sileksi. Ekipi, nën drejtimin e pronarëve të rinj, është në proces të riorganizimit dhe çdo pikë deri në pauzën dimërore është e rëndësishme për ta. Aktualisht renditen në vendin e 6-të me 16 pikë (4 fitore, 4 barazime, 7 humbje).
Skuadra
Fatkeqësisht, Fiton Ademi pësoi një tjetër dëmtim në ndeshjen ndaj Pelisterit dhe me shumë gjasa e ka përfunduar para kohe sezonin vjeshtor. Të tjerët janë të gatshëm dhe trajneri Jeton Beqiri do të vendosë për formacionin përfundimtar pak para ndeshjes.
Transmetimi:
Ndeshja Shkëndija-Shkupi do të transmetohet drejtpërdrejt në Shkëndija Channel (YouTube).
Në një atmosferë festive dhe emocionuese, Shkëndija kërkon të vazhdojë suksesin dhe të sigurojë tri pikët që do të jenë të rëndësishme në garën për titullin kampion.

