Historiku

Historia e Klubit të futbollit Shkëndija

1979 Themelimi

Shkëndija funksionin si skuadër e futbollit, por që është shumë më shumë se aq. Këtë e dëshmon e kaluara, e dëshmon e tashmja, por do ta dëshojë edhe e ardhmja. Ky ekip prej themelimit e deri më sot ka karakteristikat e veta që e bëjnë të jetë unik. Shkëndija ndër vite edhe pse u godit shumë herë, asnjëherë nuk u dorëzua. Shkëndija gjithmonë që ndëshkohej dhe vinte në buzë greminës, rrikthehej edhe më e fuqishme dhe arrinte të bëjë historinë, duke bërë me dije se ekipi frymon në saje të një uniteti të jashtëzakonshëm të themeluesve dhe mbështetësve.

Gjenerata e parë e ekipit të KF ”Shkëndija” – 1979

Nga e majta (sipër) Menan Memeti, Zarif Arifi, Nijazi Nuhiu, Rauf Ramadani, Gajur Luma, Ferit Luma, Pajazit Arifi, Qazim Halili,
(poshtë) Hebib Shaqiri, Afrim Jonuzi, Iljaz Shahini, Faik Ademi, Shani Fetai, Namik Ramadani, Harun Ceka

Klubi i futbollit Shkëndija është themeluar në vitin 1979, kur një grup i entuziastëve vendosi që shqiptarët në këto treva të kenë ekipin e tyre, që nuk do të kishte qëllim vetëm kultivimin e sportit, por paralelisht të ndërtoheshin dhe promovohen edhe vlerat familjare, kulturore dhe kombëtare. Themelimi i Shkëndijës në vitin 1979 konsiston me kohën kur pozita e shqiptarëve në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë nuk ishte aspak e volitshme. Që nga  themelimi i klubit të gjithë ishin të vetëdijshëm se pushteti i asaj kohe do të ishte pengesë në rrugëtimin e Shkëndijës. Megjithatë dëshira e madhe për të promovuar vlerat sportive të shqiptarëve të kësaj ane dhe interesimi i madh i popullatës bënë që klubi të niste rrugëtimin e gjatë, të mundishëm, me shumë batica dhe zbatica, por që gjithmonë të jepte atë ndjenjën e krenarisë dhe mos përkuljes. Shinasi Karaxhenemi dhe Xhemaludin Abazi janë emrat që do të nisnin bisedën e parë për jetësimin e idesë për themelimin e një klubit të futbollit për rininë shqiptare të Tetovës. Duke ditur se nga viti 1974 ishte themeluar Klubi i Volejbollit Shkëndija, më vonë edhe Klubi i Karatesë Shkëndija, për të kompletuar Shoqatën Sportive Shkëndija mungonte edhe klubi i futbollit, më vonë edhe basketbolli. Karaxhenemi dhe Abazi do të nisnin gjithçka dhe në konsultim me të ndjerin Mitat Eminin filluan aktivitetet për formimin e KF Shkëndija. Kështu u themelua një këshill, nisën takimet të shpeshtohen në një lokal në lagjen Çarshia e Epërme dhe  pas shumë konsultimeve dhe iniciativave për kompletim të gjërave të nevojshme, ëndra do të bëhej realitet dhe Klubi i Futbollit Shkëndija do të regjistrohej edhe zyrtarisht në Lidhjen e atëhershme Komunale të Futbollit në Tetovë. Ismailhaki Kuriu ishte kryetari i parë i KF Shkëndija, ndërsa sekretari i parë i ekipit ishte Ymer Reka. Në kryesinë e parë do të bënin pjesë edhe njëri prej ideatorëve të parë Shinasi Karaxhenemi, Mustafa Mustafai, Mamutnedim Mahmuti, Xhelal Zoti dhe Hajredin Hajredini. Me formimin e Klubit të Futbollit u krijuan kushtet edhe për themelimin e Shoqatës Sportive Shkëndija, të cilën e formoi i ndjeri Mitat Emini që do të mirej edhe me punët juridike të KF Shkëndija, ndërsa sekretari i parë i Shoqatës Shkëndija u emërua Mustafa Mustafai. Të gjithë këtëa persona, të mbështetur edhe nga shumë tjerë bënë realitet nisjen e garave të KF Shkëndija, e cila do të startonte furishëm e duke u ngjitur secilin vit nga një kategori.

KF Shkëndija stërvitjet e para i ka zhvilluar në terenin e Shkollës së Mesme Bujqësore, ku luheshin edhe ndeshjet bashkë me terenin ndihmës (tereni që tani shfrytëzohet si parking te stadium i Qytetit në Tetovë) të Stadiumit të Tetovës (stadiumi vjetër). Themeluesit sqarojnë se zyra e KF Shkëndijës ishte një veturë ku mbanin dokumentet, e prej ku i bartnin nëpër shtëpi, varësisht prej detyrave dhe obligimeve. Vlen të ceket se kryesia pati përpjekje për të ndërtuar një zyrë në afërsi të lumit Shkumbini, mirëpo për fat të keq e njëjta u përfshi nga vërshimet e lumit dhe kurrë nuk mundi të vihet në funksion.

Logon e parë të klubit e ka vizatuar Shinasi Karaxhenemi e që bartte një rreth për të simbolizuar topin e futbollit dhe 8-të rreze që kishin kuptimin e 6-të shteteve të ish-Jugosllavisë dhe 2 krahinave (asokohe Kosova dhe Vojvodina). Spikat fakti që Shkëndija prej atë kohë kishte implementuar dy gjuhësinë në librezat e saj.

Skuadra e KF ”Shkëndija” në ndeshjen kundër KF “Kosmos”

Nga e majta (sipër) Zarif Arifi, Nijazi Nuhiu, Iljaz Shahini, Gajur Luma, Afrim Jonuzi, Pajazit Arifi
(poshtë) Namik Ramadani, Rauf Ramadani, Faik Ademi, Shani Fetai, Harun Ceka

Ndeshja e parë historike dhe zyrtare e Shkëndijës në Ligën Komunale do të ishte me Kosmos e Podbredjes, e fituar 4:0 nga ‘kuqezinjtë’. Takimi u zhvillua te tereni ndihmës (parkingu i sotëm) i stadiumit të vjetër, ndërsa u tubuan rreth 2000 tifozë.

Autor i golit të parë në një ndeshje zyrtare në historinë e Shkëndijës është Shani Fetai. Ai realizoi golin e epërisë në takimin me Kosmosin, ndërsa shtoi edhe të dytin për 2:0. Dy golat tjerë në ndeshjen e parë dhe fitoren e parë në histori i shënuan Pajazit Arifi dhe Namik Ramadani.

Më vonë interesant do të ishte dueli me Falishtin poashu në Tetovë, ndërsa në stadiumin qendror luhej derbi i Ligës së Maqedonisë, ndërmjet Lubotenit dhe Sllogës. Takimi Shkëndija-Falisthi kishte përafërsisht 1000 shikues, ndërsa te derbi në tribuna kishte shumë më tepër. Mirëpo vetëm disa minuta pasi nisi ndeshja e ‘kuqezinjëve’, tifozët do të lëshonin tribunat, duke lënë duelin Luboteni-Slloga, për të qëndruar jashtë në një takim të nivelit më të ulët të garave, por ku luante Shkëndija, pikërisht në zanafillën e ndërtimit të një historie të gjatë e të lavdishme.

Pikërisht në periudhën që po shënonte fillimet e saj, Shkëndija do të zhvillonte një ndeshje miqësore në Gjakovë me Vëllazërimin, ku në një atmosferë impozante dhe vëllazërore rezultati ishte 2:2.

Xhemaludin Abazi do të mbahet mend si trajneri i parë i KF Shkëndija, ndërsa ndihmësi i tij ishte Abdyrezak Rustemi-Doda.

Gjenerata e parë e KF Shkëndija në përbërje kishte këta futbollistë: Genc Kuriu (kapiteni i parë i ekipit), Nijazi Nuhiu (portier), Gajur Luma, Beqir (Korita) Xhaferi, Rauf Ramadani, Naser Kuliku, Stojçe Ilievski (portier), Zarif Arifi, Iljaz Shahini, Pajazit Arifi, Shani Fetai, Afrim Jonuzi, Harun Ceka, Hebip Shaqiri, Menan Memeti, Zeni Arifi, Myrtazan Demiri, Besim Ibraimi, e të tjerë që pa dashje mund të kenë mbetur jashta kësaj liste.

Vlen të ceket se Shkëndija funksiononte si Shoqatë Qytetare dhe sponsor i klubit ishte vetë populli. Çdo anëtar i kryesisë ndihmonte me mjete finansiare, ndërsa nuk mungonte mbështetja e afaristëve, mërgimtarëve dhe qytetarëve të shumtë. Me një fjalë sponsor i klubit ishte populli që në numë r të madh ndiqte ndeshjet dhe me blerje të biletave bëheshin krah i klubit. Kryesia menjëherë pas themelimit dhe fillimit të funksionimit shtypi 1100 libreza anëtarësie me ngjyrat kuqezi dhe me logon e klubit në ballinë. Prej tyre u shpërndanë plotë 964 libreza dhe secili anëtar rregullisht paguante anëtarësinë (shumë modeste) dhe që mundësonte funksionim pa problem në këtë drejtim. Kjo gjë bëri që Shkëndija që në fillimet e egzistencës së saj të mund të shpërndante 12-të bursa për futbollistë më të ri dhe të talentuar, të cilët përveç futbollit nga kjo do të mund të vazhdonin arsimimin.

1981 Shpërbërja nga regjimi komunist

Shkëndija shumë shpejtë u bë një institucion që përveç sportit të futbollit, ishte vend grumbullimi dhe bashkimi i gjithë shqiptarëve të këtyre anëve, por edhe më gjerë. Kjo gjë shumë shpejtë do të bënte që pushteti i atëhershëm të niste sulmet ndaj klubit ‘kuqezi’, që nga shtypjet e mëdha ndërpreu funksionimin në vitin 1981.

Shkëndija ‘shkelte’ fuqishëm rivalët dhe fitonte gjithnjë e më shumë simpatinë e publikut. Kjo nuk do t’i pëlqente sistemit të atëhershëm që shifte një rrezik nga organizimi i numërt i shqiptarëve. Kjo gjë për ta duhej të parandalohet dhe mënyra e vetme ishte shkatërimi i Shkëndijës përmes skenarëve të incidenteve të ndryshëm. Kjo filloi të ndjehej nga ndeshja në ndeshje, ndërsa do të arrinte kulminacionin në ndeshjen e fundit sezonale kur Shkëndija ishte lidere dhe duhej të promovohet në Rang Republikan të garave. Ishte viti 1980 kur Shkëndija luante si mysafire me Çukën në Volkovi dhe pas pjesës së parë avansonte 1:0. Pjesa e dytë solli egërsim të tifozëve dhe futbollistëve vendas, ndërsa pas një lëndimi të rëndë të Rauf Ramadanit dhe trazirave të tifozëve takimi u ndërpre para kohe. Këtu filloi realizimi i planit për shkatërimin e klubit, që pas një kohe morri lajmin për ndalesë të vazhdimit të funksionimit.

Arsyetimi i qeverisë për pushimin e aktiviteteve të Shkëndijës ishte se organizimi brenda klubit mund të çonte në një lëvizje nacionale që kanoste të inicojë destabilizim në atë kohë. Vendimi për shpërndarjen e klubit erdhi më datë 14.07.1981 me vulë të Gjykatës së Tetovës me arsyetim se aktiviteti i klubit saj nuk ka qenë në pajtueshmëri me politikën e Partisë Komuniste. Ky vendim solli revolt të madhe në mesin e të gjithë dashamirëve shqiptar të futbollit, të cilët reaguan me një ankesë në Gjykatën e Tetovës, por e cila asnjëherë nuk u mor parasysh.

Të shtypur nga të gjithë anët dhe të detyruar nga padrejtësitë e shumta, kryesia e Shkëndijës përgatiti një ankesë të cilën për të qenë e sigurtë se do të arrinte në destinacionet e adresuara do ta lëshonin në postë në Lublanë të Sllovenisë.

Ankesa u firmos nga njerëz guximtarë që përkundër rrezikut që u kanosej nga sistemi i atëhershëm, vendosën vëndojnë vulën e tyre për kërkim të drejtësisë që i mohohej klubit. Mithad Emini, Mustafa Mustafai, Uzeir Uzeiri, Ismailhaki Kuriu, Vlado Jankuleski, Shinasi Karaxhenemi, Mamutnedim Mahmuti dhe Ymer Hasani.

Uzeir Uzeiri morri rrugën e gjatë drejt Sllovenisë prej ku lëshoi ankesën në të gjitha organet kompetente, si kreu i futbollit të ish-Jugosllavisë, Lidhjet e futbollit të 6 shteteve përbërëse të ish-Jugosllavisë dhe gjithë instancat ku besohej të gjendet mbështetja që nuk erdhi kurrë.

11-të vite klubi pushoi së funksionuari, deri sa në vitin 1992 me shkatërimin e ish-Jugosllavisë, Shkëndija do të riniste aktivitetet e saj, duke jetësuar ëndërën e kahmotshme të futbolldashësve tetovarë. 

1992 – Riaktivizimit i klubit

Me prishjen e sistemit totalitar, erdhi edhe mundësia që KF Shkëndija të rinis aktivitet e saja. ‘Shkëndija është më shumë se një klub futbolli’, kjo shprehje e sportdashësve Tetovarë u bë realitet në vitin 1992 kur riaktivizimi i klubit pas 11 viteve u bë realitet duke dëshmuar se dashamirët e sportit në Tetovë dhe në Maqedoninë shqiptare asnjëherë nuk reshtën së ndjekuri ëndrrën e kahmotshme. Këshilli Iniciativ i drejtuar nga Miftar Ziberi fillimisht rithemeloi Klubin e Volejbollit Shkëndija, ndërsa një javë më pas edhe Klubin e Futbollit. Kuvendi është mbajtur në çajtoren e familjes Kabashi në Çarshi të Epërme në Tetovë, ndërsa të pranishëm ishin 12-të kuvendarë: Habil Bexheti, Ibrahim Kabashi, Irfan Xhelili-Sekretar i klubit, Rametulla Baftjari-Tushi, Latif Sejfullai, Kujtim Vela, Nexhbedin Sinani, Murat Ameti, Zeni Arifi, Nakil Abazi, Afrim Junuzi dhe Abdylerezak Rustemi.

Rithemelimi i Shkëndijës solli ngjitje të madhe të ekipit në hartën e futbollit të Maqedonisë, pasi kryesia, futbollistët dhe tifozët punuan me përkushim dhe entuziazëm të paparë. Këtu vlen të ceket se me ndryshimin e sistemit tani më Shkëndija nuk regjistrohet si Shoqatë, por direkt si Klub i Futbollit.

Trajner i parë i ekipit pas rithemelimit u emërua Nexhbedin Sinani, ndihmës i tij ishte Ismail Sulejmani, ndërsa Kujtim Vela kujdesej për përgatitjen e protierëve.

Qendra Sportive në Tetovë do të ishte vendi ku Shkëndija i realizonte seancat stërvitore, ndërsa ndeshja e parë zyrtare pas rrithemelimit do të ishte kundër Reçicës, e fituar 1:0 me një gol të Islam Ibraimit.

Më vonë kryesia u angazhua për ndërtimin e teshtores (te stadiumi i vjetër) për të cilën vetëm në llogari të Komunës për nxjerje dokumentesh u paguan 13 000 marka të atëhershme. Ndërtimi i teshtores u sponzorizua nga kompani private të cilat varësisht prej natyrës (tulla, cimentë, hekur,….) dhuruan mjete për ndërtim.

Skuadra e KF ”Shkëndija” në një nga ndeshjet e Ligës së Tretë

Nga e majta (sipër) Enver Ramadani, Afet Jashari, Lirim Sahiti, Ibraim Osmani, Fadil Idrizi, Adnan Emurllai,
(poshtë) Rexhep Qamili, Ibraim Luma, Albert Haxhija, Muhamet Neziri, Qatip Osmani

Shkëndija në vitin e parë të garimit fiton titullin e kampionit dhe siguron pjesëmarje në Play-Off për plasman në Ligën e Tretë. Në ndeshjen e parë (gjysmëfinale) Shkëndija e fiton ekipin e Sllatinës, ndërsa takimin e dytë (finale) dhe vendimtar mundet me rezultat 3:1 Saraqina. Vlen të ceket se në Play-Off trajner i ekipit ishte Aqim Memeti nën drejtimin e të cilit skuadra arriti të kualifikohet në Ligën e Tretë, ku do të vazhdonin sukseset. Paraqitjet e mira u bartën edhe në këtë kategori dhe në fund të sezonit ekipi ‘kuqezi’ shënon suksesin e rradhës duke u ngjitur në Ligën e Dytë të Maqedonisë, Grupi-Perëndim.

Ekipi i KF ”Shkëndija” në njërën nga ndeshjet në Ligën e Dytë të Maqedonisë

Nga e majta (sipër) Hysni Maxhuni, Samet Zendeli, Nebi Mustafi, Nadi Fetai, Agron Pacolli, Selajdin Jerliu,
Sheismail Munishi, Vehap Imeri, Jeton Nesimi, Zeni Arifi, Muzafer Idrizi (Ekonom)
(poshtë) Nevzat Seferi (fotograf), Rexhep Qamili, Qatip Osmani, Zeqir Zeqiri, Halim Hodai,
Afet Jashari, Ibraim Luma, Ibraim Osmani, Klodian Papa, Kujtim Vela (Trajner i portierëve) 

Në rrugëtimin e ekipit drejt Ligës së Dytë nuk mund të mos ceket një moment shumë i rëndësishëm që ka ngelur i ‘thumbuar’ në mendjen e çdo tetovari. Viti 1994 dhe ndeshja Shkëndija-Fortuna, në të cilën ‘kuqezinjtë’ fitojnë 5:1 dhe sigurojnë kualifikimin për në Ligën e Dytë.  Përveç fitores dhe suksesit historik, ky takim mbahet mend për numrin rekord të shikuesve të pranishëm në stadium, që sipas përllogaritjeve të lira arrinin shifrën e 17 000 spektatorëve. Në të njëjtën ditë në Shkup përfaqësuesja e Maqedonisë është përballur me Ukrainën dhe në tribuna ta pranishëm kanë qenë 7 000 shikues.

Në këmbë nga e majta: Kujtim Vela (trajner i portierëve), Albert Haxhija, Afet Jashari, Lirim Sahiti, Samet Zendeli, Fadil Idrizi, Bexhet Shehu (trajner), Jeton Nesimi, Enver Ramadani, Ibrahim Osmani, Abdurahim Thaci (fiziotarepeut)

Ulur nga e majta: Ibrahim Luma, Adnan Emurllai – Xhaja?, Qatip Osmani, Bekim Ameti, Hysen Kadriu, Rexhep Qamili, Muhamed Neziri, Afet Kurtishi, Naser Qafqani (mjek).

Në sezonin e parë në Ligën e Dytë Shkëndija për pak nuk kapi inkuadrimin në Ligën e Parë, pasi përfundoi në pozitën e tretë në renditje. Mirëpo kjo nuk demoralizoi ekipin, përkundrazi, me një entuziazëm të shtuar, organizim të paparë dhe angazhim të të gjithë strukturave sezonin e ardhshëm 1994/1995 Shkëndija bindshëm fiton vendin e parë në Ligën e Dytë dhe siguron inkuadrim historik në Ligën e Parë.

1995 Ngjitja për herë të  parë në ligën e parë të futbollit në vend

Përkushtimi i theksuar pas viteve të riaktivizmit të klubit i solli rezultatet dëshiruara, pasi Shkëndija vetëm pas 3 viteve, me stafin, futbollistët dhe kryesinë të cilët punuan pa ndalur arriti që të ngjitet në Ligën e Parë të futbollit në vend, duke arritur asokohe suksesin më të madh në histori. Në këtë periudhë kryetar i klubit ishte Abdyladi Veseli, trajner i ekipit Ajet Shosholli nga Kosova, ndërsa kapiten Ibrahim Osmani. Në vitin e fitimit të titullit të kampionit të  Ligës së Dytë grupi Perëndim, golashënues më i mirë i skuadrës ishte Qatip Osmani, ndërsa mes tjerash në kujtesë mbeten ndeshjet me Teteksin (fitore 2:0 me golat e Qatip Osmanit) dhe ajo me Shkëndijën e Haraqinës (fitore 1:0), kur stadiumi ishte plot e përplot me spektatorë.

Gjenerata që për herë të parë në histori inkuadroi ekipin në Ligën e Parë:

Ajet Shosholli (trajner), Zeqir Zeqiri, Elez Xheladini, Rexhep Veliu, Ibrahim Osmani, Skender Jonuzi, Sheismail Munishi, Ismail Sulejmani (nd.trajner) (në këmbë). Muharem Dosti , Ekrem Skenderi, Biroll Topçiu, Gajur Sadiku, Bashkim Sopi, Shpëtim Hajdari, Besim Opre, Samet Zejneli (në mes). Besar Ibrahimi, Rexhep Qamili, Halim Hodai, Qatip Osmani, Abdylhadi Vejseli (kryetar), Erxhan Menga, Refik Arifi, Rezeart Cami, Nebi Mustafi (ulur).

Moment nga ndeshja Shkëndija-Bellasica (Tetovë – 18 gusht, 1996)

Ndeshja e parë historike e Shkëndijës në elitën e futbollit të Maqedonisë u zhvillua më 18 gusht të vitit 1996 në stadiumin e Qytetit në Tetovë kundër Bellasicës së Strumicës. Shkëndija fitoi me rezultat 1:0 me golin e shënuar në minutën e 48-të nga Ixhet Jusufi, që do mbahet mend si autori i golit të parë të Shkëndijës në Ligën e Parë. Pasoi disfatë 3:0 nga Bregallnica në Shtip, ndërsa në xhiron e tretë në Tetovë, Ibrahim Osmani dhe Skender Jonuzi shënuan për fitoren 2:0 kundër Sasa-s nga Makedonska Kamenica.

Skuadra e KF ”Shkëndija” në ndeshjen kampionale kundër KF ”Sasa” – Liga e Parë e Maqedonisë

Nga e majta (sipër) Muharem Dosti, Nadi Ibraimi, Enver Idrizi (mysafir), Enver Sulejmani, Isak Sulejmani,
Namik Ramadani, Sheismail Munishi, Nebi Mustafi, Abdyladi Vejseli (president), Salajdin Jerliu, Ibraim Osmani,
Samet Zendeli, Ajet Shosholli (trajner), Miftar Ziberi, Abdylmenaf Bexheti, Adnan Idrizi
(poshtë) Besim Opre, Qatip Osmani, Byroll Topçiu, Refik Arifi, Skender Jonuzi, Besart Ibraimi, Halim Hodai dhe Ismail Suljemani

Nga e majta (sipër) Ramadan Ramadani (ekonom), Dashmir , Samet Zendeli (trajner i portierëve), Armend Elezi, Burhan Beadini (kryetrajner), Nuri Mustafi, Besnik Ramadani, Evzal Jahii, Vullnet Emini, Fati Huseini, Buranedin Musai, Fadil Rustemi (fizioterapeut), Skender Jonuzi (drejtor sportiv)
(poshtë) Sasho Janev, Burhan Emrullai, Lupço Simovski, Mensur Idrizi, Bashkim Arifi, Erhan Selimi, Agron Memedi, Festim Ademi, Bilall Velija, Qatip Osmani, Faton Zylbehari

Shkëndija kishte grup shumë të mirë lojtarësh dhe kjo solli vazhdimësi të ecurisë pozitive edhe në xhiron e 4-t kur u mund 2:0 Slloga Jugomagnati në Tetovë, me golat e Qatip Osmanit dhe Skender Jonuzit. 15-të tetori dhe ndeshja në Kavadar me Tikveshin sollën sinjalet e para për skenare kundër Shkëndijës. Ekipi u desh të pajtohet me humbje 1:0 me një gol diskutabil që e panë vetëm arbitrat, pasi topi kaloi skaj shtyllës. Por arsyetimi i arbitrave ishte se rrjeta kishte qenë e shkyer dhe se goli ishte i rregullt. Kjo ndodhi në kuadër të xhiros së 5-të, ndërsa në të 6-ën do të vinte humbja e parë në Tetovë, 1:4 nga kampioni dhe dominuesi apsolut i atëhershëm Sileksi. Në xhiron e 7-të Shkëndija rëmbeu pikën e parë historike nga një ndeshje si mysafire, pasi barazoi pa gola me Pelisterin në Manastir. Kështu skuadra vazhdoi ecurinë pozitive, duke qenë një rival i vështirë për tu mundur në Tetovë dhe fundit e sezonit vjeshtor e priti në pozitën e 7-të në tabelën me 16-të skuadra. Në pranverë ndeshja e parë me Bellasicën në Strumicë u humb 3:0, ndërsa xhiroja e dytë pranverore dhe takimi me Bregallnicën në Tetovë ishte fillimi i teposhtëzës. Arbitrat ndëshkuan ashpër ekipin duke provokuar e pamundësuar që të fitojë, që si rezultat solli reagim të ashpër pas përfundimit të takimit. Sulmi ndaj arbitrave ishte arsyeja që Komisioni i Diciplinës pranë Lidhjes së Futbollit të Maqedonisë të shqiptonte ndëshkime rekorde për Shkëndijën. 10-të ndeshje 100 km larg Tetovës, pezullim dy vjeçar për trajnerin Ajet Shosholli dhe futbollistët Ibrahim Osmani, Skender Jonuzi, Muharem Dosti dhe Halim Hodai. Plus kësaj ekipi u desh të paguajë gjobë prej rreth 100 mijë markave gjermane në llogari të LFM-së së atëhershme. Kjo situatë do të rezultonte e pakalueshme për Shkëndijën, që megjithë rezistencën deri në xhiron e fundit humbi statusin në Ligën e Parë. Sponsori Abdyladi Veseli u tërhoq nga klubi, ndërsa presidencën e morri Rexhep Bexheti që megjithatë nuk arriti të shmangë më të keqen. Në xhiron e fundit ekipi kishte nevojë për fitore që të siguronte mbijetesën, mirëpo barazoi 1:1 me Vardarin si vendase në Strugë dhe në fund rezultoi me zbritje në kategorinë e dytë, vetëm pas një viti garim në Ligën e Parë.

Periudha 1999/2000 

Mirëpo si që ceket në fillim, çdo rënie e Shkëndijës sillte reagim të fuqishëm dhe në sezonin garues 1999/2000 ekipi shpallet kampion i Ligës së Dytë dhe përsëri promovohet në elitën e futbollit vendor.

Starti ishte premtues, ekipi dukej stabil në rezultate dhe tabelë, mirëpo konflikti i vitit 2001 penalizoi sërisht Shkëndijën, që në kushte të tilla pati të pamundur mbijetesën. Të freskëta janë kujtimet kur drejtuesit e atëhershëm të Federatës së futbollit të Maqedonisë lusnin kryesinë e klubit që të përfundonte sezonin me futbollistë të kategorive të reja, vetëm e vetëm që Liga e Maqedonisë mos të humbiste rregullshmërinë para instancave ndërkombëtare, ndërsa si kompenzim skuadrës i’u premtua mbetje administrative në Ligën e Parë. Mirëpo edhe pse Shkëndija pranoi të përfundojë sezonin me futbollistë të rrinjë nga shkolla e futbollit, Shtëpia e futbollit të Maqedonisë ndryshoi qëndrimin dhe jo që nuk mbajtën premtimin për mbetje administrative në Ligë, por kërkonin që ekipi të niste garimin në Ligën Komunale. Situata e tensionuar politike dhe konflikti i armatosur bënë që në sezonin 2001/2002 Shkëndija mos të garonte, ndërsa një vit më vonë falë reagimeve në UEFA ekipi nisi garat në Ligën e Dytë.

Periudha 2003/2004 

Shkëndija përsëri do të riorganizohej dhe në sezonin garues 2003/2004 ekipi zen vendin e dytë në renditje dhe për të tretën herë në histori kualifikohet në Ligën e Parë të futbollit në vend. Një sezon më pas për herë të parë në histori ekipi do të mbijetonte në elitën e futbollit të Maqedonisë.

Periudha 2006 – 2008

 

Ngritja graduale bëri që në vitin 2006 Shkëndija për herë të parë të kualifikohej në finalen e Kupës së Maqedonisë. Për fat të keq ajo finale e humbur 3:2 nga Makedonija Gj.P. do të ishte fillimi i problemeve të reja të Shkëndijës, që u përfshi në një krizë të thellë finansiare, që solli në shpërbërjen e ekipit dhe si pasojë në vitin 2008 skuadra do të binte në Ligën e Dytë. Kjo ndeshje solli revoltë të madhe tek tifozët që atë ditë kishin ardhur në numër të madh për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës.   

Rikthimet në Ligën e Parë (2000, 2004)

Shkëndijën, pas oscilimesh 2-3 vjeçare në ligën e dytë, fundi i stinorit 1999/2000 e gjen në kreun e tabelës së kësaj lige dhe skuadra sërish promovohet në elitën e futbollit vendor. Edhe kësaj radhe, si me performansë ashtu dhe me rezultate, Shkëndija po avansonte shumë mirë, por për shkak të konfliktit të 2001-shit, në këtë stinor ndryshuan gjërat. Këto rrethana, konflikti i armatosur dhe situata e tensionuar politike bënë që në sezonin garues 2001/2002 Shkëndija të mbetej jasht kompeticionit. Sezoni 2002/2003 skuadrën kuqezi e gjeti sërish në telashe. Federata e Futbollit e Maqedonisë kërkoi që Shkëndija të kthehej prapa për të ristartuar nga Liga Komunale por kjo kërkesë u hodh poshtë falë reagimit të UEFA-s dhe Shkëndija u kthye vetëm në Ligën e Dytë. Stinorin 2003/2004 skuadra e mbyll duke u renditur e dyta në tabelë dhe kjo ia mundëson Shkëndijës ngjitjen e tretë në Ligën e Parë ku qëndroi dy stinorë radhazi.

Skuadra e KF ”Shkëndija” në finalen e Kupës së Maqedonisë kundër KF ”Makedonija Gj.P.”

Nga e majta: Goran Georgiev, Sasho Aleksoski, Igor Saveski, Vasko Stefanov, Artim Pollozhani,
Agron Mehmedi, Burhan Emurllahu, Bilall Velija, Nuri Mustafi, Vanço Mançevski, Vullnet Emini (C)

Moment nga finalja e Kupës së Maqedonisë, Shkëndija-Makedonija Gj.P. (2:3), 2006

Periudha 2008 – 2010

E gjetur sërisht në mëshirë të fatit, pa sponsor dhe financa, Shkëndija edhe një herë do të tregonte se kurrë nuk do të mbetej e vetmuar. Tetovarët edhe një herë riorganizohen, ekipi stabilizohet finansiarisht, ndërsa ndërtimi i një ekipi cilësor solli rezultatet më të mëdha në hisorinë e klubit. Skuadra merret nën drejtim të bashkëkombasve tanë në mërgim dhe me finansim nga kompania Messi Group. Ky investitor tregoi shumë durim kur përkundër dështimit për t’u rikthyer në elitë në vitin 2008. Ekipi u ndal në vendin e tretë në renditjen e Ligës së Dytë dhe në balotazh për inkuadrim në Ligën e Parë u mund 3:0 nga Pelisteri në Strumicë. Mirëpo dështimi nuk dëshproi drejtuesit që ishin të vendosur të bëjnë diçka të madhe, diçka ndryshe nga e kaluara. Shkëndija në sezonin garues 2009/2010 në mënyrë bindëse shpallet kampione e Ligës së Dytë dhe për herë të katërt promovohet në Ligën e Parë, por kësaj here me një fuqi të jashtëzakonshme e që la shenjë në histori të klubit dhe futbollit të Maqedonisë.

Përbërja e gjerë e ekipit të KF “Shkëndija” para ndeshjes Shkëndija – Kosova 0:3 (1992)

Nga e majta (sipër) 
Rametullah Baftjari (anëtar kryesie), Xhelal Ahmedi (anëtar kryesie), Feim Ibraimi (anëtar kryesie), Abdyrezak Rustemi (trajner i portjerëve), Rexhep Qamili, Ymer Hasani (anëtar kryesie), Islam Ibraimi, Ibraim  Osmani, Latif Sejfullai (anëtar kryesie), Mujdin Memedi, Habil Bexheti (kryetar) Abdyl Kuriu, Ejup Sulejmani, Enver Ramadani, Namikqemal Qahili (anëtar kryesie), Havzi Elezi (kapiten)
(poshtë) Murat Ahmedi (anëtar kryesie), Kujtim Vela (anëtar kryesie), Hysein Kadriu, Sunaj Emini, Ismail Sulejmani, Asllan Ismaili, Faik Ademi, Lirim Saiti, xx, Muzafer Livoreka (trajner i grupmoshave të reja) Nexhbedin Sinani (trajner)

Skuadra e KF ”Shkëndija” në stinorin 2006/2007

Nga e majta (sipër) Festim Ademi, Vullnet Emini (C), Mensur Idrizi, Mumin Sallahi, Armend Elezi, Nuri Mustafi,
(poshtë) Bilall Velija, Bashkim Arifi, Agim Ibraimi, Burhan Emurllai, Agron Memedi

Pas kësaj periudhe Shkëndija sërish u gjend në krizë të thellë financiare, u larguan disa nga futbollistët dhe si rrjedhojë erdhi rënia në Ligën e Dytë në v. 2008.

Periudha 2008 – 2010

Pas 30 vjet përpëlitjesh, e gjendur sërish në mëshirën e fatit, pa financa e pa sponsor, Shkëndija përsëri do të gjejë mbështetjen e tetovarëve të cilët nuk e shikonin dot skuadrën e zemrës të mbetej e vetmuar. Kësaj radhe ishin mërgimtarët tanë ata që e riorganizuan dhe e stabilizuan ekipin financiarisht. Messi Group ishte kompania sponsoruese dhe nën drejtimin e bashkëkombasve tanë skuadra mori kthesën drejt sukseseve që s’i kishte parë ndonjëherë më parë. Në stinorin 2008/2009, duke u radhitur e treta në tabelë, Shkëndija nuk arriti të ngjitej në Ligën e Parë por në stinorin vijues 2009/2010 në mënyrë bindëse shpallet kampione e Ligës së Dytë dhe për herë të katërt promovohet në Ligën e Parë. Dhe kësaj here Shkëndija u shfaq me një fuqi të jashtëzakonshme që la gjurmë në historinë e klubit e të futbollit në Maqedoni.

Shkëndija fiton kampionatin (2010/2011)

Ai rrikthim i fuqishëm nga Liga e Dytë në të Parën u bë i qartë për të gjithë kur në fund të sezonit 2010/2011 Shkëndija arrin të shpallet kampion në futbollin elitar në vend. Ekipi filloi ngadalë, por me kalimin e kohës tregonte cilësi, kontuinitet, karakter dhe shumë grintë, duke dalë fillimisht kampione e dimërit, ndërsa më pas ruajti rendimentin edhe në pranverë kur nuk pësoi asnjë disfatë dhe në mënyrë bindëse tre javë para fundit të sezonit siguroi titullin e kampionit.

Skuadra e KF ”Shkëndija” në ndeshjen e fundit kampionale kundër KF ”Metalurg”, 28 Maj, 2011

Nga e majta (sipër) Sedat Berisha, Ferhan Hasani, Muhamet Useini, Ersen Sali, Suat Zendeli, Vladimir Nikitoviq
(poshtë) Nebi Mustafi (C), Ardian Nuhiu, Ilir Elmazovski, Izair Emini, Xhelil Abdulla

Përbërja e gjerë e KF ”Shkëndija” që e fitoi kampionatin 2010/2011

Nga e majta (sipër) Enver Ramadani (trajner i portierëve), Nuredin Rexhepi (ekonom), Besim Adili, Vladimir Nikitoviq, Eshtref Dehari,
Suat Zendeli, Sedat Berisha, Qatip Osmani (kryetrajner), Erhan Selimi (trajner), Ersen Sali, Izair Emini, Muhamet Useini,
Blagojçe Glavevski, Idriz Ibishi (drejtor gjeneral), Martin Potuchnik (sponsor), Dashmir Murtezani
(në mes) Adis Veliji, Elmedin Rexhepi, Nebi Mustafi (C), Mumin Sallai, Ardian Cuculi,
Ardian Nuhiu, Ilir Elmazovski, Fikret Shaqiri (sekretar), Besir Shaqiri (drejtor sportiv)
(ulur) Bekim Alija (fizioterapist), Elmaz Sinani , Xhelil Abdulla, Nasir Azizi, Valmir Nafiu, Briljant Sylaj,
Marjan Bilbilovski, Mevlan Murati, Mexhit Neziri, Metin Dalip (trajner kondicional)

Kjo do të jetë një ëndërr e bërë realitet për të gjithë tifozët dhe dashamirët e Shkëndijës. Ndeshja e fundit e këtij kampionati ishte ajo përballë Metalurgut ku Shkëndija, duke mos patur nevojë për pikë, bëri spektakël të papërshkrueshëm. Mbi 16 000 spektatorë të pranishëm në tribuna, atmosferë e jashtëzakonshme, koreografi e paparë dhe gjithçka rreth e rrotull e bënë 28 Majin e vitit 2011 të paharrueshëm për të gjithë ata që e duan sportin dhe Shkëndijën. Festa vazhdoi me orë të tëra edhe në sheshin e qytetit me një program të pasur artistik e me fishekzjarre.

Ndeshja finale Shkëndija-Metalurg 2:2, i gjithë stadiumi po feston titullin,
Shkëndija fiton kampionatin 2010/2011, – 
(28 Maj,.2011)

Moment nga pjesë e koreografisë në ndeshjen Shkëndija-Metalurgu 2:2 (28.V.2011) kur ekipi do të festonte titullin e kampionit, ndërsa në minutën e 79-të (e zgjedhur qëllimisht për tu përshtatur me vitin e themelimit të Shkëndijës 1979) gjithë staduimi ngjasonte si vullkan nga fishekzjaret e ndezura.

Kryetar i klubit në këtë periudhë ishte Nuriman Shaqiri, Shef i stafit teknik legjenda e klubit Qatip Osmani me ndihmësin e tij Erhan Selimi dhe trajnerin e portierëve Enver Ramadanin. Kapiten i ekipit ishte një tjetër futbollist legjendar i skuadrës, Nebi Mustafi, ndërsa mes shumë tjerëve spikati si më i miri i sezonit Ferhan Hasani që më vonë do të bënte transferime të Uolfsburgu në Gjermani dhe Brondby në Danimarkë.

Skuadra e Shkëndijës shpërthen në gëzim me kupën e ngritur lart në fund të kampionatit 2010/2011 (28 Maj, 2011)

Ekipi i KF Shkëndija, stafi dhe sponsorët me kupën dhe medaljet për titullin e kampionit të fituar në sezonin 2010/2011, (28 Maj, 2011)

Shkëndija fiton Superkupën e Maqedonisë (2011)

Pas shpalljes kampion, Shkëndijën e pritën edhe suksese tjera. Shkëndija do të mbahet mend edhe si fituesja e parë e trofeut të Superkupës së Maqedonisë, pasi si kampione e vendit me rezultat 2:1 e mundi fituesin e Kupës, Metalurgun. Ky ishte edicioni i parë i Superkupës i organizuar nga Federata e Futbollit të Maqedonisë. Nebi Mustafi nga penaltia dhe Ersen Sali ishin autorët e golave që Shkëndijës ia sollën trofeun e Superkupës.

Heronjtë e KF Shkëndija festojnë trofeun e rrëmbyer në Superkupën e Maqedonisë, 2010/2011

Shkëndija debuton në Kupat Europiane-Liga e Kampionëve (2011)

Fitimi i kampionatit ia solli Shkëndijës kualifikimin e parë në kupat Europiane. Debutimi ndodhi në eliminatoret e Ligës së Kampionëve ku ‘kuqezinjtë’ shorti i vuri përballë Partizanit të Beogradit. Ndeshja e parë në Beograd solli një Shkëndijë dinjitoze por sidoqoftë, duke qenë përballë një skuadre me traditë dhe përvojë të gjatë ndërkombëtare, ndeshja u mbyll me rezultat 4:0 për Partizanin. Në takimin e kthimit në Shkup sërish Shkëndija tregon nivel të lartë loje por nuk arriti ta fitojë takimin. Kjo ndeshje u mbyll me një gol të shënuar nga Partizani dhe me rezultatin e përgjithshëm 5:0, eliminohen ‘kuqezinjtë’.

Skuadra debutuese në kualifikimet për Ligën e Kampionëve të UEFA-së, 2011 (ndeshja me Partizanin e Beogradit)

Nga e majta (sipër) Ferhan Hasani, Sedat Berisha, Ersen Sali, Vlladimir Nikitoviq, Suad Zendeli, Ardian Cuculi
(poshtë) Elmedin Rexhepi, Nebi Mustafi, Ilir Elmazovski, Izair Emini, Muhamed Useini

Stinori 2011/2012

Përkundër gjendjes jo të mirë financiare në stinorin 2011/2012 për Shkëndijën gjërat nuk shkuan keq. Fundi i kampionatit Shkëndijën e gjen të renditur në pozitën e tretë në tabelë. Kjo pozitë Shkëndijës ia siguroi daljen në Kupat Europiane, kësaj radhe në Liga Europa. Fati u tregua i mirë me Shkëndijën pasi shorti e nxori përballë një skuadre jo të fuqishme, pra përballë skuadrës gjysmë-profesionale Portadown nga Irlanda e Veriut. Kjo solli në klub kurajë e shpresë për ta kaluar një xhiro në Europë, pasiqë fitorja do të ishte një arritje e shënuar për Shkëndijën por edhe një impuls financiar shumë i nevojshëm për klubin. Megjithëkëtë, Shkëndija fatkeqësisht nuk arriti të fitojë, ndeshja e parë me Portadown në stadiumin e qytetit në Kumanovë u mbyll pa gola, ndërsa ndeshja e kthimit, e zhvilluar në Irlandën e Veriut, përfundoi 2:1 për skuadrën vendase.

Skuadra e KF Shkëndija në ndeshjen me FC Portadown 0:0 – Kumanovë, 2012

Nga e majta (sipër) Ertan Demiri, Muzafer Ejupi, Ardian Cuculi, Mexhit Neziri, Sedat Berisha, Trajçe Nikov,
(poshtë) Jasir Selmani, Ilir Elmazovski, Nebi Mustafi (C), Izair Emini, Gjelbrim Taipi

Nga ndeshja me Portadown në Irlandën e Veriut, ngjarja pozitive për tu mbajtur mend është që Shkëndija e regjistroi shënimin e golit të parë në Europë, autor i të cilit ishte Ardian Cuculi. Me këtë rezultat Shkëndija u eliminua nga gara dhe ky eliminim la të kuptohej se klubi po futet në krizë akoma më të thellë financiare.

Shkëndija rrëmben trofeun në Kupën “Pavarësia” – Vlorë, 2012

Në përvjetorin jubilar, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, po mbahej edicioni i katërt me radhë i turneut tradicional mbarëkombëtar, Kupa ‘Pavarësia’. Ky Nëntor i vitit 2012 sjell në Vlorë shumë skuadra nga të gjitha trojet shqiptare. Pas shumë ndeshjeve që për dy javë skuadrat zhvilluan me njëra-tjetrën, ndeshjet e fundit ishin ato mes katër skuadrave që dolën më të mira, KF Flamurtari, KF Tirana, KF Prishtina dhe KF Shkëndija. Fillimisht Shkëndija mundi Tiranën me rezultatin 1-0, duke siguruar pjesëmarrjen në finale ku takohet me skuadrën e Prishtinës.

Skuadrat finaliste në turneun Kupa “Pavarësia”, (KF ”Shkëndija” – KF ”Prishtina”) – Vlorë 2012

Takimi me Prishtinën mbyllet pa gola dhe vendimtare ishin goditjet nga pika e bardhë e njëmbëdhjetë metërshit që Shkëndijës së strategut Artim Shaqiri ia sollën trofeun e kësaj Kupe. Për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë ky turne ishte organizuar në mënyrë të veçantë e spektakolare. Kapiteni Izair Emini ishte i pari nga skuadra e Shkëndijës që e ngriti lart kupën sapo ia dorëzoi atij, kreu i Federatë Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.

Festa e skuadrës së Shkëndijës te Kupa ‘Pavarësia’, Vlorë 2012

(Presidenti i FSHF-së, Armando Duka dhe ai i FFK-së, Fadil Vokri
duartrokasin për fitoren e Shkëndijës)

Stinori 2012/2013

Që në fillim të kampionatit ndjehej kriza financiare por ishte karakteri, vullneti dhe përkushtimi i skuadrës që e mbanin lartë frymën triumfuese dhe nga ndeshja në ndeshje hynin guximshëm në fushën e gjelbër për të dalë fitues që aty. Përkundër vështirësive të shumta financiare e të tjera, këtë kampionat skuadra arriti ta mbyllë duke u radhitur në pozitën e gjashtë, ndërsa në garën e Kupës e eliminon Vardarin në gjysmëfinale dhe kualifikohet për ndeshjen finale me Teteksin, gjithashtu nga Tetova. Ishte data 22 maj 2013 kur në stadiumin e qytetit në Tetovë dolën përballë njëra-tjetrës dy skuadrat me rivalitet tradicional mes vete. Të rrethuar me tribunat përplot tifozë e sportdashës, që të dyja skuadrat po kërkonin me ngulm të fitojnë Kupën e Maqedonisë. Derisa po zhvillohej pjesa e parë e takimit, në minutin e 33-të arbitri ndërpret ndeshjen për shkak të fyerjeve në baza etnike. Zyrtarët e FFM-së vendosin që takimi të ndërpritet dhe të nesërmen vjen vendimi i tyre që ky takim do të mbahet me datë 26 maj në Shkup, por pa prani tifozësh në tribuna. Pas katër ditësh, këtë ndeshje Shkëndija e nisi shumë mirë dhe ndërkohë që avansonte 1 me 0 mbeti pa portierin Velii i cili u ndëshkua me karton të kuq. Në pjesën e dytë të takimit Teteksi e barazoi rezultatin dhe pasi koha shtesë nuk solli ndryshim, ishin gjuajtjet nga 11 metërshi të cilat me rezultat 6:5 e nxorën fitues Teteksin. Ky fat i keq i dëshpëroi dhe i goditi rëndë ‘kuqezinjtë’ duke u dhënë atyre shtytjen që i çoi buzë shkatërrimit.

Kështu, me shpresa të shuara për të gjetur shpëtim për klubin, lojtarë dhe anëtarë të stafit teknik, përkundër dëshirës së tyre, nisën të kalojnë në klube të tjerë ku e gjenin këtë mundësi. Ishte kjo një situatë tejet e pakëndshme që jepte alarmin se Shkëndija po rrezikohej të shpërbëhet e të mbetet përfundimisht jashtë kampionatit në sezonin vijues. Ky dëshpërim në mënyrë të veçantë i plagosi shpirtërisht tifozët e shumtë të Shkëndijës dhe sidomos grupimin ‘Ballistët’. Për klubin e tyre të zemrës këta të fundit nuk i kishin shuar të gjitha shpresat. Ata e dinin se në Tetovën e tyre ekziston gjiganti i përmasave ndërkombëtare i quajtur ‘Ecolog’ dhe se Lazim Destani nuk do ta linte Shkëndijën dhe dinjitetin e kësaj rinie të binte përtokë. Tifozët kërkuan nga Ecolog-u ta ndihmojë Shkëndijën për pagesën e kuotizacionit, shumën prej rreth 15 000 EUR (anëtarësia vjetore që klubet paguajnë në FFM), që ishte kusht për mbetjen e klubit në Ligën e Parë. Kjo ndihmë nuk u mungoi nga Ecolog por megjithatë, problemi financiar i klubit nuk kishte gjetur zgjidhje akoma. Në prag të stinorit vijues 2013/2014 klubi ishte me zero buxhet dhe me një borxh prej rreth 100.000,oo EUR. Prandaj, grupimi Ballistët që udhëhiqej nga kryetari Shkëlzen Meta në bashkëpunim me kryesinë e klubit që drejtohej nga Albion Osmani, duke mos parë rrugëdalje tjetër, sërish i kthyen sytë kah Lazim Destani por tashmë kërkojnë prej tij të bënte shumë më shumë për KF Shkëndija. Kështu Ballistët pa u hamendur e nisën fushatën e tyre, “Ecolog, Thuaj Po!”, ku nga Ecolog do të kërkohej sponsorimi dhe menaxhimi i KF Shkëndija.

Fushata “Ecolog, Thuaj Po!”

Të nxehtët e atyre ditëve verore aspak nuk i ndali tubimet dhe brohoritjet e ‘Ballistëve’ dhe tifozëve të cilët mblidheshin te sheshi i qytetit dhe nën shoqërimin e tupanave vinin përballë godinës së Ecologut për të brohoritur të gjithë së bashku, “Ecolog, Thuaj Po!”. Gjatë fushatës së tyre një mujore ata kërkonin nga Lazim Destani sponsorimin dhe menaxhimin e klubit, dy gjëra që tashmë ishin imperativ mbijetese dhe zhvillimi për klubin e ‘kuqezinjve’.

Sheshi i qytetit të Tetovës, Korrik 2013

Ballistët para godinës së Ecolog-ut kërkojnë mbështetjen e shumëpritur, Korrik 2013

Kjo fushatë aq shpejt u përhap e bëri jehonë nëpër rrjetet sociale në internet e në media saqë nga mbarë bota vinin mesazhet me trinomin “Elolog, Thuaj Po!”. Në këtë fushatë, me mesazhet e tyre u përfshinë edhe yjet e futbollit europian si Lorik Cana, Xherdan Shaqiri e të tjerë. Mesazhe me këtë mbishkrim vinin nga çdo pikë e globit ku ndodhen tetovarët e bashkëvendasit tanë të cilët fare mirë e dinë se ç’kuptim kishte për ta “Shkëndija”. Dhe në fund të fundit edhe Lazim Destani është një tetovar i cili gjithashtu e kishte njohur prej kohësh shpirtin e Shkëndijës. Ai, gjithsesi i prekur nga jehona e klithjes së Ballistëve dhe gjithë atyre tifozëve të Shkëndijës të përfshirë në fushatë, me datë 31 korrik nën emocione dhe ndjenjë kënaqësie iu përgjigj kësaj kërkese me fjalët;

“Bashkëqytetarë, tifozë dhe Ballistë të nderuar,
Ne jemi të vetëdijshëm se Shkëndija është më shumë se një klub sporti, është pjesë e kulturës së qytetit tonë, është pjesë përbërëse e historisë dhe trashëgimisë sonë, jo vetëm në rajonin e Pollogut por gjithandej trojeve tona… E dashura rini, ju jeni krenaria jonë, pikërishit ju dhe e ardhmja juaj ishte motivi kryesor për t’i bërë kërkesës suaj një trajtim kaq serioz. Andaj përgjigjja ime është, ‘ECOLOG’ thotë, – PO, ‘SHKËNDIJA’.

Le ta shndërrojmë stadiumin e Tetovës në një qendër për Fair Play dhe Klubin e Futbollit Shkëndija ta bëjmë një klub shembull, me menaxhment profesional dhe me principe e rregulla sporti europiane. Rregullat nuk duhet të jenë vetëm fjalë të shkruara në letër, por mënyrë veprimi për çdo ditë dhe për çdo ndeshje, duke nisur nga sjellja e tifozëve, sjellja e zyrtarëve të klubit, respekti ndaj kundërshtarit, respekti ndaj arbitrave, dhe loja pozitive.”

Stinori 2013/2014
Kompania ‘Ecolog’ merr përsipër sponsorimin dhe menaxhimin e KF Shkëndija – verë 2013

Përgjigjja pozitive e Lazim Destanit u prit me gëzim të madh e me festë në qytetin e Tetovës e më gjerë. Shumë shpejt u zgjodh ekipi menaxhues i klubit dhe u formua skuadra. President u emërua Jetmir Bexheti, drejtor sportiv zvicerani Mathias Valter ndërsa menaxher i përgjithshëm Arbër Shaqiri.

Nga e majta (sipër) Artim Pollozhani, Bashkim Baki, Ilir Xhemaili, Valon Zeqiri, Hadis Velii, Ardian Cuculi
(poshtë) Burhan Aliji, Valon Abazi, Amir Bislimi, Nuriman Ismaili, Jasir Selmani

Pamje nga ndeshja e parë nën ombrellën e Ecolog-ut, Shkëndija-Horizont T., 04.08.2013

Pjesa vjeshtore e këtij sezoni la shumë për të dëshiruar pasi kishte rezultate që nuk kënaqën. Pas përgatitjeve dimërore, fillimi i pjesës pranverore të sezonit e gjeti Shkëndijën të përforcuar me lojtarë cilësor dhe me një staf teknik profesional të drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro.

Ekipi i KF ”Shkëndija” para fillimit të pjesës pranverore të stinorit 2013/2014

Nga e majta (sipër) Shqiprim Taipi, Ylber Luma, Stenio Zhunior, Erblin Shaqiri, Besir Nuhi,
Hadis Velii, Marko Jovanovski, Egzon Belica, Ardian Cuculi, Mensur Kurtishi, Bojan Vruçina
(në mes) Bekim Alija (fizioterapist), Driton Bexheti (mjek), Muhamed Useini, Artim Pollozhani,
Metin Dalip (trajner kondicional), Jeton Beqiri (ndihmës-trajner), Shpëtim Duro (trajner),
Armend Elezi (trajner i portierëve), Nuri Mustafi, Yordan Miliev, Nuredin Rexhepi (ekonom), Erxhan Rushiti (fizioterapist)
(ulur) Shpend Asani, Elfat Hasani, Valon Abazi, Valmir Alili, Elvir Nurishi, Bunjamin Shabani,
Muhamet Ziberi, Demir Imeri, Egzon Bejtullai, Jasir Selmani, Astrit Fazliu

Në këto kondita, me mbarimin e këtij sezoni, Shkëndija jo vetëm që arriti të mbetej në Ligën e Parë por edhe e siguroi kualifikimin për Kupat Europiane.

 

Shkëndija shënon fitoren e parë në Liga Europa (2014)

Daljen në Europë Shkëndija e siguroi në xhiron e fundit të stinorit, dhe ky ishte një sukses që skuadrës ia solli një autobus modern, prodhim gjerman i dizajnuar enkas për klube futbolli. Ishte kënaqësia e Lazim Destanit që t’ia bënte skuadrës një dhuratë surprizë sepse Shkëndija e meritoi këtë duke treguar vullnet dhe entuziazëm për të ecur drejt rrugës së sukseseve.

Lazim Destani në mesin e futbollistëve dhe stafit të KF Shkëndija para ndeshjes Shkëndija-Zimbru në Liga Europa

Data 1 korrik, 2014 do të mbahet mend për fitoren e parë të Shkëndijës në një ndeshje të Kupave Europiane. Kjo ndeshje u zhvillua në Shkup ku Shkëndija përballë skuadrës moldave Zimbru fitoi me rezultat 2:1, me golat e shënuar nga Bojan Vruçina dhe Ivan Mitrov.

Skuadra e KF Shkëndija në ndeshjen me FC ”Zimbru Chisinau” në kualifikueset për UEFA Europa Ligë

Nga e majta (sipër) Artim Pollozhani, Sedat Berisha, Egzon Bejtullai, Bojan Vruçina, Yordan Milev, Marko Jovanovski
(poshtë) Jasir Selmani, Stenio Zhunior, Muhamed Useini, Mevlan Murati, Ivan Mitrov

Ndeshja e kthimit në Chisinau nuk ia solli Shkëndijës gëzimin e dëshiruar ku humbja prej 2:0 e eliminoi nga Liga Europa. Trajner i Shkëndijës në këtë periudhë ishte kroati Roy Ferençina.

 

Stinori 2014/2015

Tashmë me një skuadër cilësore dhe me menaxhment me përvojë njëvjeçare, Shkëndija po hyn në sezonin garues 2014/2015 me ambicje për titullin e kampionit dhe Kupën e Maqedonisë. Sadoqë në fillim të stinorit dukej se gjërat do të shkonin më së miri, nuk ndodhi kështu. Gjatë këtij stinori drejtuesit e klubit u detyruan të bëjnë disa ndryshime të cilat pastaj do ta merrnin haraçin e kohës së nevojshme për konsolidim. Lulzim Imeri u emërua kryetar, Nebi Musafi drejtor sportiv, ndërsa Ardian Kozniku shef i stafit teknik. Pasi kaluan disa muaj përpjekjesh në kampionat, sërish gjërat nuk ecnin mirë dhe kjo solli ndërrimin e trajnerit Kozniku. Roli i trajnerit iu besua ndihmës-trajnerit të deritashëm, Jeton Beqirit. Nën drejtimin e Beqirit skuadra pati një seri të gjatë fitoresh si dhe lojë të organizuar e të mirë. Në këtë periudhë Shkëndija dy herë e mposhti Vardarin, 3:2 në Kumanovë dhe 1:0 në Kërçovë.

Shkëndija sërish del në Europë (2015)

Mbarimi i stinorit 2014/2015 Shkëndijën e gjen në pozitën e tretë në tabelë dhe kjo i sjell dalje të re në Europë. Shorti skuadrën e vuri përballë ekipit skocez, Aberdeen. Ndaj ekipit skocez, kuqezinjtë, tashmë me trajnerin e ardhur rishtazi te Shkëndija, Shpëtim Duro, do të bënin paraqitje shumë dinjitoze. Edhe radhët e futbollistëve ishin forcuar me dy emra të njohur, Ferhan Hasani dhe Besart Ibraimi, të rikthyer te klubi i tyre. Ndeshja e parë në Shkup u mbyll me barazim 1:1 me golin e Hristijan Kirovskit.

Skuadra e KF ”Shkëndija” në ndeshjen kundër FC ”Aberdeen” nga Skocia, në kualifikueset për UEFA Europa Ligë

Nga e majta (sipër) Marko Jovanovski, Armend Alimi, Xhelil Abdulla, Ferhan Hasani, Ardian Cuculi, Artim Pollozhani
(poshtë) Bllagoja Todorovski, Besir Demiri, Victor Juffo, Stenio Zhunior, Bojan Vruçina

Takimi i kthimit në Skoci solli paraqitje shumë të mirë të Shkëndijës duke dominuar në fushën e kundërshtarit por që fati nuk e deshi të vijë dhe goli. Ndeshja atje përfundon 0:0, dhe me këtë rezultat të barabartë në dukje, Shkëndija eliminohet për shkak të golit të pranuar në terrenin e vet.

 

Stinori 2015/2016

Fillimi i këtij stinori e gjen skuadrën më të konsoliduar e të përforcuar me disa lojtarë të rinj ndër të cilët edhe Ferhan Hasani i cili kishte lënë gjurmë me performansat e tij të shkëlqyera disa vite më parë te Shkëndija. Ndryshime ndodhën edhe te stafi teknik dhe te menaxhmenti i klubit. Në postin e drejtorit të përgjithshëm për departamentin e sportit vjen Ibrahim Ramadani ndërsa president i klubit emërohet Profesor Abdylmenaf Bexheti.

Ekipi i K.F.”Shkëndija” para fillimit të pjesës pranverore të stinorit 2015/2016

Nga e majta (sipër) Besmir Bojku, Bllagoja Todorovski, Shpend Asani, Besir Demiri, Besart Ibraimi,
Ennur Totre, Armend Alimi, Ardian Cuculi, Egzon Bejtullai, Marjan Radeski, Victor Juffo
(në mes) Erxhan Rushiti (fizioterapist), Bekim Aliji (fizioterapist), Hristijan Kirovski, Xhelil Abdulla, Jeton Beqiri (ndihmës-trajner), Shpëtim Duro (trajner),
Metin Dalip (trajner kondicional), Armend Elezi (trajner i portierëve), Jure Jerbiq, Muhamed Useini, Driton Bexheti (mjek), Oktay  Altun (fizioterapist)
(ulur) Bojan Vruçina, Artim Pollozhani, Marko Jovanovski, Besir Nuhii, Enes Azizi, Ferhan Hasani, Stenio Zhunior

Të gjitha ndryshimet që erdhën në këtë stinor sollën frymë të re, stabilitet dhe ishin shumë premtuese që skuadra e Shkëndijës të synojë titullin e kampionit në Ligën e Parë të vendit si dhe trofeun e Kupës së Maqedonisë. Pjesa vjeshtore e kamponatit për Shkëndijën po shkonte mirë por në disa nga ndeshjet e fundit, niveli i performansës pësoi rënie dhe kjo situatë u bë shkak për ardhjen e kryetrajnerit të ri, Bruno Akrapoviq. Kryetrajneri i ri e nisi me Shkëndijën duke e drejtuar skuadrën gjatë përgatitjeve dimërore që u zhvilluan në Ohër dhe në Antalia.

 

Punimet në stadiumin e qytetit sjellin vështirësi për Shkëndijën

Sadoqë klubi ishte i organizuar më mirë se kurrë më parë, Shkëndija e nisi këtë kampionat pa e patur në dispozicion stadiumin e qytetit sepse tashmë këtu kishin nisur punimet për rindërtimin e tij. Në këto rrethana, Shkëndija edhe ndeshjet si nikoqir ishte e detyruar t’i zhvillojë jashtë qytetit të Tetovës aty ku e gjente mundësinë, në Shkup, Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Ohër, etj. Punimet në stadium, në fazën e parë kishin nisur me fushën e gjelbër për të vazhduar pastaj me pajisjet ndriçuese (projektorët) si dhe tribunat me gjithë ambietet tjera përcjellëse, dhomat e zhveshjes, dushet, tualetet e kështu me radhë. Sipas projektit, fusha e gjelbër ku punimet kishin filluar në pranverë duhej të ishte gati nga mesi i shtatorit 2015 në mënyrë që ndeshjet si nikoqir klubet tetovare t’i zhvillonin këtu. Por siç duket, procedurat byrokratike dhe menaxhimi i dobët i punimeve e bënë që edhe pranvera ta gjejë Shkëndijën duke bredhur qyteteve të vendit për ndeshjet e veta si nikoqir. Mungesa e stadiumit të qytetit gjatë këtij stinori gjithësesi e ka prekur Shkëndijën, madje jo vetëm nga ana financiare por edhe e ka nxjerrë në pozitë të pafavorshme përballë kundërshtarëve.

Ekipi i KF ”Shkëndija” në fillim të pjesës pranverore të stinorit 2015/2016

Nga e majta (sipër) Besnik Shabani, Alem Merajiç, Bllagoja Todorovski, Egzon Bejtullahi, Besir Demiri, Victor Jufo, Marjan Radeski, Ennur Totre, Shefit Shefiti, Shpend Asani, Ard Kasami, Arbin Zejnullahi
(në mes) Ramadan Sinani (ekonom) Erxhan Rushiti (fizioterapist), Fadil Rustemi (fizioterapist), Nderim nexhipi, Ervin Jusufoviç, Konstandin Zahov, Marko Jovanovski, Besir Nuhii, Carlinho Rech, Stefan Vujçiq, Driton Bexheti (mjek), Bekim Alija (fizioterapist), Nuredin Rexhepi (ekonom)
(ulur) Artim Pollozhani, Ferhan Hasani, Besart Ibraimi, Metin Dalip (trajner kondicional), Bruno Akrapoviç (kryetrajner),  Jeton Beqiri (trajner), Armend Elezi (trajner i portierëve), Armend Alimi, Ardian cuculi, Stenio Zhunior

Skuadra e KF ”Shkëndija” në ndeshjen e parë të pjesës pranverore të stinorit 2015/2016 (Shkëndija-Horizont T.)

Nga e majta (sipër) Besart Ibraimi, Konstandin Zahov, Stefan Vujçiq, Armend Alimi, Alem Merajiç, Ardian Cuculi (C)
(poshtë) Egzon Bejtullai, Bllagoja Todorovski, Marjan Radeski, Stenio Zhunior, Nderim Nexhipi

———————————————————————–
Shënim

Të nderuar lexues,

Ky historik i KF “Shkëndija” është shkruar mbi bazën e të dhënave që janë mbledhur brenda një kohë të caktuar e të limituar. Pra ky tekst është një materie në zhvillim dhe jo në formë definitive, prandaj kushdo prej jush që mund të japë kontribut me të dhëna relevante që i konsideron të rëndësishme, ju lutemi na kontaktoni për ta bërë këtë historik sa më të plotë.

go top