Pelisteri vs Shkëndija | Liga e Parë, Xhiroja e 15-të

Kuqezinjtë të dielën do të vizitojnë qytetin e alfabetit të gjuhës shqipe në kërkim të tre pikëve nga përballja me Pelisterin. 

Ndeshja:

Pelisteri vs Shkëndija

Xhiroja e pesëmbëdhjetë 

Stadiumi “Petar Milloshevski”, Manastir

E diel, 24 nëntor, ora 17:00

Shkëndija të dielën udhëton në Manastir, në qytetin ku 115 vite më parë u mbajt Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, për të nderuar këtë ngjarje historike dhe për të kërkuar tre pikët që do ta mbajnë ekipin në krye të tabelës. Pas një pauze dyjavore për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare, kuqezinjtë kthehen në aksion në një duel që premton rivalitet dhe atmosferë festive.

Kjo është hera e dytë këtë sezon që Shkëndija luan një ndeshje nën ndriçimin e projektorëve, pas fitores ndaj Breras në Strumicë. Ekipi ka shfrytëzuar kohën e pauzës për të rikuperuar energjitë dhe lojtarët e dëmtuar, duke u përgatitur maksimalisht për ndeshjen kundër Pelisterit.

Kundërshtari

Pelisteri, i kthyer në elitë këtë sezon, po tregon formë të paqëndrueshme, por është një ekip i vështirë për t’u mposhtur në shtëpi. Në përballjen e parë sezonale në Tetovë, Shkëndija fitoi me rezultat 2:0. Aktualisht, Pelisteri renditet në vendin e 7-të me 16 pikë (3 fitore, 7 barazime, 4 humbje) pas 14 ndeshjeve.

Skuadra

Trajneri Jeton Beqiri do të ketë përsëri në dispozicion Kamer Qakën, i cili mungoi ndaj Breras për shkak të pezullimit me kartonë të verdhë. Po ashtu, Besar Ibraimi, Valon Ahmedi, dhe Fiton Ademi janë rikuperuar nga dëmtimet dhe kanë stërvitur me ekipin për tri ditë, megjithatë aktivizimi i tyre do të vendoset në koordinim me stafin mjekësor.

Transmetimi

Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në Shkëndija Channel (YouTube) dhe është një nga takimet e rralla në vendin tonë që zhvillohet në mbrëmje nën ndriçimin e projektorëve.

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top