FC Struga T&L – FC Shkëndija 1:1

Macedonian First League
FC Struga
  • Spirovski 49'
1:1
May 4, 2025, StrugëFull Time
FC Shkëndija
  • Latifi 81'
May 4, 2025, StrugëFull Time

Barazim në derbin shqiptar. Struga avansoi me golin e Spirovskit, ndërsa barazuam me Latifin. Të mërkurën me fitore eventuale ndaj Rabotniçkit, zyrtarisht mund të sigurojmë titullin kampion. 

 

STRUGA – SHKËNDIJA 1:1 (0:0)

Stadiumi i qytetit në Strugë

Golashënues: Spirovski 49’ (Struga), ndërsa Latifit 81’ (Shkëndija)
Arbitër: Nderim Tefiku (Kumanovë)

STRUGA: Stevkovski, Ristevski, Spirovski (Hamza 73’), Kehinde (Kasami 87’), Bojku (c), Fall (H. Tairi 57’), Zenku, Ziba, Maleski (Radeski 73’), Islami (F. Tairi 57’), Lamine. 
Trajner: Ilço Gjorgjioski

SHKËNDIJA: Amzai, R. Ramadani, Cake, Alhassan, Ibraimi (c), Shala, Kërstevski (F. Ramadani 46’), Kocev (Ademi 57’), Merxhani (Webster 70’), Qaka (Tamba 57’), Latifi.

Trajner: Jeton Beqiri

 

Shkëndija nuk ka arritur të përfitojë maksimalisht nga ndeshja e javës së 30-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, duke barazuar 1:1 në udhëtim ndaj Strugës. Ky rezultat bën që kuqezinjtë të mos e shfrytëzojnë mundësinë për të krijuar një diferencë prej 6 pikësh ndaj Sileksit, që barazoi (0:0) në transfertën ndaj Rabotniçkit.

 

Në një derbi shqiptar me atmosferë të zjarrtë, ku “Ballistët” për 90 minuta dhanë mbështetje të pakursyer në tribuna, kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje nën ngërçin e rëndë psikologjik që vinte nga pesha e mundësisë për ta mbyllur zyrtarisht garën për titull. Struga, që tashmë nuk është në garë për titull dhe me mendjen te finalja e Kupës, u paraqit me një formacion të dytë, por tregoi qetësi e lehtësi në lojë, shpesh duke kërcënuar në pjesën e dytë.

 

Pjesa e parë foli qartë për dominim të Shkëndijës, por pa konkretizim. Portieri vendas Stevkovski u shfaq protagonist me katër pritje vendimtare, ndërsa Struga pati vetëm një rast konkret me goditjen me kokë të Kehindes pas harkimit të Zenkut.

 

Në pjesën e dytë, me fillimin e saj, Shkëndija bëri zëvendësimin e parë duke futur Florent Ramadanin në vend të Kërstevskit, por ishin vendasit që gjetën golin. Në minutën e 49-të, Stefan Spirovski shfrytëzoi hapësirën para zonës dhe me një goditje të saktë kaloi Strugën në epërsi.

 

Kuqezinjtë hodhën gjithçka në sulm dhe kërkuan rikthimin, duke bërë zëvendësime dhe intensifikuar ofensivën. Në minutën e 81-të, pas një këndoreje të realizuar nga kapiteni Ibraimi, ishte Liridon Latifi që me goditje me kokë shënoi për 1:1.

 

Pavarësisht përpjekjeve në minutat e mbetura, goli i fitores nuk erdhi dhe Shkëndija u detyrua të pranojë ndarjen e pikëve në këtë derbi të zjarrtë shqiptar. Me tre xhiro të mbetura, Shkëndijës i duhet vetëm një fitore për ta mbyllur kampionatin. 

 

Ndeshja e radhës

Të mërkurën jemi aktiv kur në program janë ndeshjet e xhiros së 31 dhe kuqezinjtë në Tetovë përballë Rabotniçkit kanë mundësinë që me fitore të shpallen kampion për herë të pestë në histori. 

Shkëndija-Rabotniçki 07.05.2025

 
Share
go top