FC Shkëndija- Shala 4'
- Ibraimi 62'
November 27, 2024, TetovëFull Time
FC Shkupi
November 27, 2024, TetovëFull TimeFestë në Tetovë ndërmjet dy tifozerive “Ballistët” e “Shvercerat” me Shkëndijën që mund 2:0 Shkupin me golat e Shalës dhe Ibraimit.
SHKËNDIJA- SHKUPI 2:0 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Shala 4’, dhe Ibraimi 62’ (Shkëndija)
Arbitër: Jovan Kaçevski (Strugë)
Karton i kuq: Ansah 90’+2 (Shkupi)
SHKËNDIJA: Amzai, Trumçi, R. Ramadani, Cake, Webster, Qaka (Ahmedi 65’), F. Ramadani (Alhassan 46’), Kërstevski (Latifi 65’), Shala (Jakupi 90’+1’), Adili, Ibraimi (c) (Kocev 87’)
Trajner: Jeton Beqiri
SHKUPI: Denkovski, Blazhevski, Asani (Guxhufi 83’), Gueje, Ansah, Ramani, Edmundsoon (c), Fabrice (Ibishi 57’), Imeri (Kanda 57’), Diene, Stojanovski (Daci 69’).
Trajner: Erdem Alparsllan
Atmosferë fantastike ka prodhuar derbi Shkëndija-Shkupi, me dy tifozeritë që prodhuan spektakël në tribuna duke dhënë shembullin e bashkëpunimit ndërvëllezëror. “Ballistët” e “Shvercerat” pas një periudhe të gjatë dy tifozeritë ishin bashkë në të njejtën ndeshje për spektakël të vërtetë. Pjesa e lojës foli për kuqezinjtë që fituan 2:0 me golat e Shalës dhe Ibraimit.
Ndeshja nisi furishëm për kuqezinjtë që avansuan pas vetëm 3 minutave lojë. Denkovski ndali të majtën e Ibraimit, derisa topi i doli volitshëm Shalës që godet saktë për epërsi 1:0 dhe delirium në tribuna. Shkupi vështirë hynte në lojë dhe kaluan 20 minuta për të parë përgjigjen e miqve kur Guaje me kokë godet mbi traversë. Në minutë e 30-të Diene lanson një të djathtë të fortë por jo precize. Përgjigjet Shkëndija me Kërstevskin që gjuan ngjitur me shtyllën. Në minutën e 41 e majta e Ibraimit kontrollohet nga Denkovski, derisa në anën tjerër Amzai me pritje spektakolare i përgjigjet gjuajtjes së bukur të Imerit.
Pjesa e dytë nisi me iniciativë të Shkupit që kishte posedim të topit dhe kërkonte t’i afrohet portës kuqezi, por Shkëndija mbrohej mirë dhe mbyllte gjitha hapsirat para portës së Amzait. Në momentet më të mira të miqve, kuqezinjtë sjellin kundërsulm vrasës (62’) me Shalën që rëmben një top nga miqtë dhe pason drejt Ibraimit, i cili godet saktë dhe me golin e 149 zyrtar në fanellën e Shkëndijës na sjell epërsi 2:0. Pak më vonë Alhassan lanson një bombë, që grushtohet nga Denkovski, derisa në anën tjetër e majta e Asanit nuk gjeti kuadratin e tanëve. Në minutën e 86-të shkuam pranë golit të tretë pas aksionit të Ibraimit e Ahmedit, mirëpo numri “7” në momentin e fundit nuk arriti të shënojë. Deri në fund Kanda dhe Guxhufi tentuan, mirëpo pa arritur të ndryshojnë rezultatin që mbyllet 2:0 për Shkëndijën.
Ndeshja e radhës
Fundjava sjell ndeshjet e xhiros së 17-të kur luajmë si mysafir me Voskën në Ohër.
Voska-Shkëndija 01.12.2024

