
Rrugëtimi i kuqezinjëve në edicionin e sivjetshëm të Kupës merr fund në gjysmëfinale ku eliminohemi nga Struga. Barazimi 1:1 në transfertë nuk mjaftoi për kualifikim, pasi u mundëm 1:2 në ndeshjen e parë në Tetovë.
…ndeshja…
Jeton Beqiri: “Mendoj se futbollistët në përgjithësi dhanë maksimumin, por mënyra si pranohet goli në atë situatë penalizohesh, ashtu si që ndodhi edhe në Tetovë. Realisht gabuam edhe si grup, por veçanërisht në aspekt individual. Kur të analizosh dy ndeshjet dhe të shohim gabimet që kemi bërë, sigurisht se bëhet e vështirë të kualifikohesh.”
…keqardhje për eliminimin…
Jeton Beqiri: “Sigurisht se ndjehet keqardhje. Ne duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje, por për keqardhje është edhe mënyra si pranohen golat. Në kushte kur luhen dy ndeshje dhe pëson gola të tillë, atëherë gjërat komplikohen, posaçërisht kur përballë ke ekip cilësor si Struga. Por, ashtu si e kemi nisur garën e sivjetshme të Kupës unë doja të respektoj të gjithë futbollistët dhe ata që kualifikuan Shkëndijën deri në këtë fazë të kenë mundësinë për të treguar vlerat. Pavarësisht se nuk dëshpëruan në aspektin e lojës, por çaluam si skuadër dhe në momente të veçanta në pranimin e golave.”
…mund të kishim bërë më mirë…
Jeton Beqiri: “Patjetër se po. Gjithmonë mund të bëhet më mirë. Por ne kemi futbollistë që janë cilësorë dhe nuk kanë shumë minuta në kampionat dhe që në fillim e kisha menduar të luajnë në Kupë. Shumica e tyre kanë luajtur ndeshjet paraprake në Kupë dhe mendoja se është e rrugës që të vazhdojnë të luajnë edhe për interes të ruajtjes së skuadrës nga lodhja, kartonat dhe situata që mund të na penalizojnë për në kampionat. Pastaj edhe për punën e bërë gjatë gjithë vitit besoj se e meritonin të luanin në këto ndeshje dhe gjithsesi se edhe me atë gjysmë rotacion në skuadër mendoj se ne kishim mundësitë tona, por duhej të tregoheshim më cinik në sulm dhe më të sigurtë në mbrojtje.”

