
Mbrojtësi i djathtë rikthehet në Tetovë si zëvendësim direkt i Stefan Kocevit të larguar dhe firmos kontratë dy vjeçare për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi.
KF Shkëndija zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me mbrojtësin e djathtë Mevlan Murati, i cili sërish do të jetë pjesë e ekipit tonë. Pasi kaloi me sukses ekzaminimet mjekësore, Murati ka firmosur kontratë dy vjeçare me kuqezinjtë.



Murati vjen pas një sezoni të plotë me KF Gostivari, ndërsa në të kaluarën ka veshur fanellat e skuadrave si Rabotniçki, Shkëndija, Renova, FC Shkupi dhe Partizani i Tiranës, duke sjellë me vete përvojë dhe cilësi në fazën defanzive.



Futbollisti 31-vjeçar ka një lidhje të veçantë me klubin tonë, pasi që është produkt i shkollës së futbollit të Shkëndijës dhe ka kaluar disa periudha si pjesë e kuqezinjve, derisa numëron 4 trofe, 3 tituj kampion dhe një Kupë me Shkëndijën.



Murati është tashmë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij dhe për të luftuar për ngjyrat kuqezi drejt realizimit të objektivave që na presin.

