
Sulmuesi 26-vjeçar ka firmosur zyrtarisht kontratë dy vjeçare me kuqezinjtë dhe nga dita e shtunë bashkohet me skuadrën në seancat stërvitore.



KF Shkëndija me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me sulmuesin e qendrës, Marko Gjorgjievski, i cili vjen për të përforcuar repartin ofanziv të skuadrës sonë.



Pasi kaloi me sukses të gjitha ekzaminimet mjekësore, futbollisti 26-vjeçar ka firmosur zyrtarisht kontratë që e lidh atë me klubin kuqezi deri në verën e vitit 2028.



Marko Gjorgjievski nuk është një emër i panjohur për opinionin sportiv vendas. Gjatë sezonit 2024/25, ai shpërtheu me cilësitë e tij duke u shpallur golashënuesi më i mirë i elitës së futbollit në Maqedoninë e Veriut, pas çka u transferua në Rumani te CFR Kluzh. Përveç karrierës në kampionatin vendor ku është aktivizuar me skuadra si Sileksi, Akademija Pandev (AP Brera) e Shkupi, sulmuesi shtatlartë ka ndërtuar një përvojë të rëndësishme edhe jashtë vendit. Ai ka luajtur në Serbi me FK Voždovac, si dhe së fundmi ishte pjesë e futbollit rumun me ekipet e njohura FC Hermannstadt dhe CFR Kluzh. Gjithashtu, ai numëron paraqitje të shumta zyrtare me përfaqësueset e moshave (U19 dhe U21) të Maqedonisë së Veriut.
Me nuhatjen e tij para portës dhe eksperiencën ndërkombëtare, Marko pritet të jetë një armë e fuqishme për Shkëndijën në rrugëtimin drejt realizimit të ambicieve.
Të gjithë në KF Shkëndija i urojmë Marko Gjorgjievskit mirëseardhje në familjen kuqezi dhe sa më shumë gola e suksese me fanellën tonë.

