ZYRTARE | Imran Fetai është lojtar i ri i Shkëndijës

Shtatlarti 22-vjeçar rikthehet në shtëpi me kontratë trevjeçare, pasi fitoi përvojë të konsiderueshme në elitën vendore me klubet paraprake, derisa ishte standard me përfaqesuesen e shpresave të vendit. 

KF Shkëndija njofton arritjen e marrëveshjes me mbrojtësin qendror Imran Fetai, i cili ka firmosur kontratë trevjeçare me klubin tonë pas kalimit me sukses të testeve mjekësore.

Fetai vjen nga skuadra e Besës së Dobërdollit, ku ishte titullar fiks gjatë edicionit të fundit. 22-vjeçari është i njohur për qëndrueshmërinë fizike dhe aftësinë për të lexuar lojën në vijën e fundit të mbrojtjes, cilësi që e patën bërë pjesë të rregullt të përfaqësueses U21 të Maqedonisë së Veriut në ciklin e fundit kualifikues.

“Të jem lojtar i Shkëndijës është ndjenjë e papërshkrueshme me fjalë dhe jam shumë i lumtur që firmos me këtë klub. E di çka kërkohet këtu dhe jam i gatshëm të ndihmoj skuadrën për të realizuar synimet“,tha mes tjerash Fetai, pasi firmosi zyrtarisht kontratën me Shkëndijën. 

Rikthimi te Shkëndija ka vlerë të veçantë për Fetain, pasi ai është rritur pikërisht në akademinë kuqezi. Pas shkollës së futbollit të Shkëndijës, karriera e tij ka vijuar me Apoloninë në Shqipëri, për të kaluar më pas te Gostivari, Tikveshi dhe së fundmi Besa e Dobërdollit.

Ky transferim përputhet me filozofinë e klubit për të sjellë lojtarë me perspektivë dhe potencial zhvillimi, që njohin mirë vlerat dhe misionin e Shkëndijës.

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top