
KF Shkëndija me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me mbrojtësin e majtë Bojan Dimoski, i cili është përforcimi më i ri i skuadrës në këtë afat kalimtar.
Pasi kaloi me sukses ekzaminimet mjekësore, futbollisti 24-vjeçar firmosi kontratë dyvjeçare me klubin dhe menjëherë ka udhëtuar drejt Sllovenisë për t’u bashkuar me grupin në fazën përgatitore. Ai pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Artim Pollozhani që sot, në ndeshjen kontrolluese kundër Koperit nga ora 18:30.



Bojan Dimovski është një futbollist polivalent në repartin defensiv. Edhe pse pozita e tij natyrale është mbrojtës i majtë, ai mbulon me mjaft sukses edhe pozita të tjera si mbrojtës i djathtë, mesfushor defensiv dhe anësor, duke u varur nga vendosja taktike e skuadrës. Përkundër moshës së tij të re, Dimovski sjell një përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare, duke numëruar edhe 21 paraqitje me përfaqësuesen A të Maqedonisë së Veriut.



Në Maqedoni, para se të kalonte jashtë vendit, ai është aktivizuar me skuadrën e AP Brera, ndërsa më pas karrierën e ka vazhduar në futbollin rus me ekipin Akron Tolyatti, prej ku luajti si huazim në Serbi me Partizanin e Beogradit dhe FK TSC Bačka Topola.



Me cilësitë dhe polivalencën e tij, Dimovski pritet të jetë një vlerë e madhe e shtuar për formacionin kuqezi në sfidat që e presin skuadrën në arenën vendore dhe ndërkombëtare.
Të gjithë në KF Shkëndija i urojmë Bojan Dimovskit mirëseardhje në familjen kuqezi dhe shumë suksese me fanellën e Shkëndijës.

