ZYRTARE | Arbin Zejnullai rikthehet te Shkëndija!

KF Shkëndija me kënaqësi komunikon angazhimin e Arbin Zejnullait, i cili pas katër vitesh rikthehet në shtëpinë ku u rrit dhe u formua si futbollist.

Produkt i shkollës së futbollit Shkëndija, kampion me gjeneratat e reja, mesfushori 26 vjeçar numëron 3 tituj kampion me ekipin e parë kuqezi. Zejnullai mbetet në histori si autori më i ri në moshë i një goli për Shkëndijën në Kupat e Europës, në fitoren 0:4 ndaj Dacia Chisinau të Moldavisë në vitin 2017.

Pas largimit nga skuadra jonë në vitin 2021, mesfushori tetovar qëndroi te Lokomotiv Zagreb dhe Rabotniçki, para se të zhvillojë një periudhë të shkëlqyer me Egnatian në elitën shqiptare, ku në tre sezone rresht ishte ndër lojtarët kyç të suksesit historik të klubit nga Rrogozhina, duke fituar dy tituj kampion, dy Kupa dhe një Superkupë të Shqipërisë.

Pavarësisht interesimit të madh nga klube të huaja dhe rajonale, Zejnullai zgjodhi të rikthehet te Shkëndija, aty ku gjithçka nisi për të. Pas kalimit me sukses të ekzaminimeve mjekësore, Arbin Zejnullai ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare me klubin tonë, ndërsa administrata do të provojë të bëjë maksimumin për ta federuar në kohë për ndeshjet e raundit të dytë eliminator të UEFA Champions League. 

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top