
Kuqezinjtë vazhdojnë punën gjatë pauzës ndërkombëtare, me duelin ndaj Llapit si ndeshja e dytë kontrolluese. Takimi luhet nga ora 15:00 në “Zahir Pajaziti”.
Shkëndija vazhdon përgatitjet gjatë pauzës së kampionatit, duke kompensuar mungesën e ndeshjeve zyrtare me duele miqësore. Pas përballjes së javës së kaluar me Kamjanin, të shtunën kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshjen e dytë kontrolluese, këtë herë në udhëtim te Llapi.
Skuadra jonë ka udhëtuar drejt Kosovës, ku në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë do të përballet me skuadrën vendase në një miqësore vëllazërore. Llapi, prej disa vitesh pjesë e rëndësishme e Superligës së Kosovës, pritet të jetë një test i mirë për të përzgjedhurit e trajnerit Artim Pollozhani.
Ashtu si në duelin me Kamjanin, pritet që edhe kësaj radhe të marrin minuta futbollistët që kanë pasur më pak hapësirë në kampionat. Mungesat e vetme do të jenë lojtarët e grumbulluar me ekipet përfaqësuese.
Dueli Llapi-Shkëndija luhet të shtunën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, me fillim në orën 15:00.

