
Kuqezinjtë do të përballen me HNK Hajduk Split, në një ndeshje që nis në orën 18:15 dhe që pritet të ofrojë një provë cilësore për ekipin para sfidave evropiane.
Pas fitores 2:1 ndaj FC Koperit në ndeshjen e parë kontrolluese, KF Shkëndija të martën do të zhvillojë testin e dytë në kuadër të përgatitjeve verore në Slloveni. Kuqezinjtë do të përballen me HNK Hajduk Split, në një ndeshje që nis në orën 18:15 dhe që pritet të ofrojë një provë cilësore për ekipin para sfidave evropiane.
Nën drejtimin e trajnerit Artim Pollozhani, skuadra po kalon një periudhë intensive pune, ku krahas ngarkesave fizike po punohet edhe në ndërtimin e lojës dhe implementimin e ideve tekniko-taktike të stafit të ri.
Hajduku është një nga klubet më të njohura dhe më të suksesshme në Kroaci, i themeluar në vitin 1911 dhe me një histori të pasur në futbollin rajonal e evropian. Skuadra nga Spliti numëron tituj të shumtë kampionë dhe fitore në kupa, ndërsa njihet për traditën e madhe futbollistike dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve të saj.
Për Shkëndijën, sfida ndaj Hajdukut do të jetë një tjetër mundësi e mirë për të testuar formën e ekipit dhe për të vazhduar përgatitjet në prag të paraqitjes në garat evropiane.

