Super debutim për portierin Gaye dhe mbrojtësin Fetai

Debutim i suksesshëm në ndeshje zyrtare për dy përforcimet e reja të kuqezinjve, Baboucarr Gaye dhe Imran Fetai, të cilët u paraqitën për herë të parë me fanellën e Shkëndijës në sfidën e parë të eliminatoreve të UEFA Champions League kundër The New Saints.

Ndonëse takimi u mbyll pa fitues dhe pa gola (0:0), skuadra jonë arriti të ruajë portën të paprekur dhe kjo falë paraqitjes solide të repartit defanziv, me protagonistë dy debutuesit e kësaj vere.

Portieri Baboucarr Gaye, reprezentuesi 27 vjeçar i kombëtares së Gambias, kishte një performancë të shkëlqyer me disa intervenime vendimtare, duke treguar qetësi dhe siguri në çdo dalje dhe duke mbajtur portën e paprekur në një ndeshje me shumë rëndësi për ekipin.

Në të njëjtën linjë ishte edhe mbrojtësi qendror Imran Fetai. 22 vjeçar debutoi në ndeshje zyrtare me fanellën kuqezi me pjekuri dhe saktësi në çdo ndërhyrje. Fetai u shfaq i vendosur dhe i sigurt, duke ndalur disa aksione të rrezikshme të kundërshtarit dhe duke dhënë një kontribut të çmuar në mbrojtje.

Ky debutim i suksesshëm është një sinjal pozitiv për vazhdimësinë dhe objektivat e skuadrës në garat evropiane dhe kampionatin vendor, me dyshen Gaye-Fetai që pritet të jenë elemente të rëndësishme në formacionin kuqezi.

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top