
Struga dhe Shkëndija në përballje direkte diskutojnë kualifikimin në finale të Kupës, me kuqezinjtë që kërkojnë përmbysje të negativës 2:1 nga ndeshja e parë.
Ndeshja:
Struga vs Shkëndija
Gjysmëfinalja e Kupës – Ndeshja e kthimit
Stadiumi i Qytetit, Strugë
E mërkurë, 23 prill, ora 16:00
Të mërkurën në Strugë, Shkëndija luan ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës, ku do të ndjekim rezultatin negativ 2:1 nga sfida e parë. Në kampionat, kuqezinjtë janë në ecuri pozitive me katër fitore radhazi dhe mbajnë kreun e renditjes me 4 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt, Sileksi dhe plot 16 pikë para vetë Strugës që mban vendin e pestë. Por ndërsa në ligë Struga është jashtë gare për titull, përballja në Kupë mbetet e hapur dhe më e drejtpërdrejta për të vendosur një finalist.
Takimi i parë në Tetovë filloi mirë për kuqezinjtë me epërsi 1:0 dhe raste për të thelluar avantazhin, por gabimet u ndëshkuan dhe Struga arriti përmbysjen, duke e përmbyllur duelin e parë me fitore 2:1.
Skuadra
Trajneri Beqiri ka në dispozicion të gjithë lojtarët, përfshirë edhe rikthimin e Mevlan Adilit pas pezullimit me tre ndeshje për shkak të kartonit të kuq.
Kundërshtari
Struga, pas dy kampionateve të fituara radhazi, këtë sezon ka humbur kontaktin me kreun dhe pas barazimit me Gostivarin fundjavën që shkoi ka dalë përfundimisht nga gara për titull. Me pesë ndeshje deri në fund, ata ndodhen gjashtë pikë larg vendit të tretë që garanton Evropën. Kështu, Kupa është rruga më e sigurt për pjesëmarrje ndërkombëtare dhe skuadra e Strugës është maksimalisht e përqendruar në këtë objektiv. Epërsia 2:1 dhe fusha vendase i favorizojnë, por Shkëndija udhëton pa flamur të bardhë, me besim dhe vullnet për ta përmbysur gjithçka dhe për të siguruar një vend në finale.
Transmetimi
Ndeshja Struga-Shkëndija do të transmetohet drejtpërdrejt në Shkëndija Channel me fillim nga ora 16:00.

