
Me atmosferë shume të mirë në grup dhe ecuri ideale prej katër fitoresh rresht, kuqezinjtë udhëtojnë në Kratovë me synimin e vetëm për të marrë triumfin e pestë radhazi dhe për të blinduar kreun e tabelës.
Sileksi vs Shkëndija
• LPFMV | Xhiroja e 5-të
• Stadiumi | Stadiumi i Qytetit në Kratovë
• E premte | 28 gusht | ora 16:00
• Transmetimi | Arena Sport
PËRMBLEDHJE
- Shkëndija udhëton drejt Kratovës për të kërkuar fitoren e pestë në po aq ndeshje të zhvilluara këtë edicion në elitë
- Në një orar mjaft të ngjeshur, skuadra shfrytëzoi ditët pas triumfit të së hënës ndaj Strugës për rikuperim fizik dhe përgatitje taktike
- Atmosfera në stërvitje është në nivelin më të lartë, teksa djemtë tanë kërkojnë të shfrytëzojnë momentin pozitiv për të ngritur edhe më tej nivelin e lojës
- Stafi teknik beson se loja ka hapsirë për akoma përmirësime dhe punohet maksimalisht në këtë drejtim
SITUATA NË SKUADËR
Mungesa:
- Mesfushorët Endrit Krasniqi (dëmtim në kavilje) dhe Rafael Freitas mbeten jashtë kombinimit.
- Mbrojtësi i majtë Bojan Dimoski (probleme me kyçin e këmbës) dhe sulmuesi Marko Gjorgjievski nuk do të jenë në dispozicion.
- Portieri Baboucarr Gaye është rikthyer të stërvitet me grupin në fazën e fundit të rikuperimit, por nuk është ende 100% gati për lojë.
Kthehet:
- Mbrojtësi Anes Meliqi rikthehet zyrtarisht në dispozicion të stafit teknik pasi pezullimi i tij u ul nga 3 në 2 ndeshje moslojë, duke e shlyer dënimin gjatë përballjeve kundër Bregallnicës dhe Strugës.
FAKTE SHTESË
- Ecuria e kuqezinjve: Shkëndija mbron bilancin 100% të pikëve në këtë start sezoni, duke pasur katër fitore bindëse në katër xhirot e para.
- Forma e kundërshtarit: Sileksi nga 4 ndeshjet e para ka regjistruar 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, teksa në këtë duel vjen pas disfatës 4:1 nga Vardari në Shkup.
- Sfida e transfertave: Përballja në Kratovë mbetet gjithmonë një test i fortë, ku përqendrimi maksimal do të jetë i domosdoshëm për të marrë tri pikët e radhës.
- Gjyqtari i ndeshjes: Drejtësia në këtë takim i është besuar arbitrit Done Ristovski.

