Shkëndija zhvillon miqësore vëllezërore me Kamjanin

Kuqezinjtë triumfuan 3:0 ndaj debutuesit të Ligës së Dytë në një miqësore të zhvilluar në Kamjan, në një atmosferë festive dhe me interesim të madh nga publiku i Pollogut.

Shkëndija ka shënuar fitore 3:0 ndaj Kamjanit në miqësoren e zhvilluar këtë të shtunë në stadiumin e fshatit Kamjan.

Dueli me debutuesin në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut solli entuziazëm të madh në publikun e Pollogut, ndërsa për vendasit përballja me Shkëndijën ishte një moment i veçantë në vitin e arritjeve historike për klubin.

Kamjani, i përbërë në masë të madhe nga futbollistë që kanë kaluar përmes Shkollës së Futbollit të Shkëndijës, la përshtypje pozitive dhe zhvilloi një ndeshje dinjitoze. Në anën tjetër, përvoja e kuqezinjve bëri diferencën dhe skuadra e trajnerit Artim Pollozhani e mbylli takimin me fitore 3:0.

Pollozhani e shfrytëzoi këtë përballje për të aktivizuar një formacion të kombinuar, ndërsa minuta në këtë miqësore patën edhe disa prej futbollistëve të rinj.

Shkëndija kaloi në epërsi në minutën e 21-të. Gjorgjievski goditi drejt portës, portieri Ramadani e ndali tentimin e parë, ndërsa Vane Kërstevski ishte në vendin e duhur për ta dërguar topin në rrjetë për 0:1.

Në minutën e 27-të, Livoreka provoi me një goditje të bukur, por portieri Amzai reagoi shkëlqyeshëm. Pak më vonë, në minutën e 34-t, Livoreka sërish ishte pranë golit, por goditja e tij përfundoi pranë kuadratit.

Në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 49-të, Shkëndija fitoi penallti, ndërsa Florent Ramadani ishte i saktë nga pika e bardhë për 0:2.

Rezultati përfundimtar u vulos në minutën e 69-të, kur portieri vendas Abazi ndali tentimin e Kërstevskit, por në vazhdim Krasniqi reagoi më së miri dhe shënoi për 0:3.

Në fund, test i suksesshëm për dy ekipet në një përballje që përveç karakterit sportiv solli edhe një atmosferë të veçantë në Kamjan, duke bashkuar dy skuadra të Pollogut në një ditë të bukur futbolli.

KAMJANI-SHKËNDIJA 0:3 (0:1)

Stadiumi i fshatit Kamjan

Golashënues: Kërstevski 21’, Ramadani 49’ (pen.), Krasniqi 69’

SHKËNDIJA: Amzai, Murati (c), Ceka, Rushiti, Abdurahmani, Xheladini, Abazi, Isa, Ramadani, Kërstevski, Gjorgjievski.

Luajtën edhe: Ibraimi, Krasniqi, Islami, Ademi, Rafa, Akiki, Ceka.

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top