
Kuqezinjtë zhvilluan ndeshjen e tretë kontrolluese në kuadër të fazës përgatitore në Slloveni, ndërsa dueli cilësor ndaj kampionit të Sllovenisë, NK Celje, u mbyll me fitore minimale 1:0 për skuadrën vendase.
Shkëndija zhvilloi një përballje cilësore ndaj kampionit aktual të Sllovenisë, NK Celje, në ndeshjen e tretë kontrolluese gjatë fazës përgatitore në Slloveni. Në një duel ku secila skuadër dominoi nga një pjesë loje, kuqezinjtë lanë përshtypje shumë të mira, veçanërisht në 45 minutat e para.
Skuadra jonë ishte dukshëm më kërkuese në pjesën e parë, duke sulmuar vazhdimisht portën kundërshtare, por pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara. Në minutën e 13-të, goditjen fluturimthi të Dimoskit e ndali portieri i Celjes, i cili u tregua vendimtar edhe në minutën e 19-të pas goditjes nga ndërprerja të Zejnullait. Në minutën e 32-të, Armir Isa provoi pas një aksioni të bukur, por sërish portieri slloven reagoi me sukses.
Rastin më të mirë Shkëndija e pati në minutën e 34-t, kur pas një aksioni model topi shkoi te Endrit Krasniqi, por edhe kësaj radhe portieri i Celjes shpëtoi skuadrën e tij. Në anën tjetër, Celje regjistroi rastin më serioz në minutën e 33-të, kur tentativa e tyre përfundoi në rrjetën e jashtme.
Edhe pjesa e dytë nisi me një mundësi të mirë për kuqezinjtë, ndërsa në minutën e 58-të Amzai solli intervenim të rëndësishëm. Shkëndija rrezikoi edhe me depërtimin e Kërstevskit, tentativa e të cilit për të gjetur Ibraimin u ndal nga portieri kundërshtar.
Balanca e takimit u prish në minutën e 80-të, kur pas një aksioni të skuadrës sllovene, një goditje e fuqishme e Suhovrsnik-ut mposhti portierin Ramani për rezultatin përfundimtar 1:0. Në fund, Shkëndija provoi të reagojë me Jakupin, por goditja e tij u ndal nga portieri, ndërsa edhe Celje pati disa raste të tjera që u neutralizuan nga Ramani.
Pas këtij testi cilësor, Shkëndija vazhdon përgatitjet në Slloveni, ku deri në përfundim të fazës përgatitore do të zhvillojë edhe një ndeshje të fundit kontrolluese.
CELJE-SHKËNDIJA 1:0 (0:0)
Stadiumi Skalna Klet, Celje në Slloveni
Golashënues: Suhovrsnik 80’ (Celje)
Karton i kuq: Imran Fetai 63’ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Amzai, Trumçi, Fetai, Meliqi, Dimoski, Rafa, Islami, Zejnullai (c), Krasniqi, Isa, Ndzengue.
Luajtën edhe: Ibraimi, Spahiu, Kërstevski, Jakupi, Ramani, Ceka, Xheladini,
Trajner: Artim Pollozhani

