
Vetëm një hap larg titullit kampion! Të mërkurën pa mbështetjen e publikut na duhet fitore ndaj Rabotniçkit për të siguruar edhe matematikisht titullin, të 5 në historinë e klubit.
Ndeshja:
Shkëndija vs Rabotniçki
LPFMV – Xhiroja e 31-të
Stadiumi i Qytetit, Tetovë
E mërkurë, 7 maj, ora 17:00
Shkëndija është vetëm një fitore larg titullit të pestë kampion në historinë e klubit. E mërkura mund të jetë dita e kurorëzimit për kuqezinjtë, të cilët tre xhiro para fundit kanë shansin të mbyllin matematikisht garën për trofe. Pas përgatitjeve intensive dy ditët e fundit, skuadra e trajnerit Jeton Beqiri është e gatshme për sfidën e vlefshme për trofe ndaj Rabotniçkit. Me triumf ndaj ekipit nga Shkupi, festa kampionale mund të shpërthejë në Tetovë.
Skuadra
Lajm i mirë për kuqezinjtë është rikthimi i dy mbrojtësve titullarë, Mevlan Adili dhe Aleksandër Trumçi, të cilët munguan në sfidën e kaluar për shkak pezullimi me pesë kartona të verdhë.
Kundërshtari
Rabotniçki vjen në këtë përballje nga pozita e tretë në renditje me 53 pikë, pesë më shumë se Struga ndjekëse. Edhe pse kanë lëshuar terren në fazën e dytë të sezonit, ata vazhdojnë të jenë pretendentë seriozë për një vend në garat evropiane. Në pjesën e parë të kampionatit, Rabotniçki ishte për një kohë të gjatë lider dhe rival direkt në garën për titull. Prandaj, përballja nuk do të jetë aspak e lehtë dhe kërkon përqendrim maksimal nga kuqezinjtë.
Transmetimi
Dueli Shkëndija-Rabotniçki zhvillohet të mërkurën në Stadiumin e Qytetit në Tetovë dhe transmetohet drejtpërdrejt në Shkëndija Channel nga ora 17:00.

