
Testi i katërt dhe i fundit kontrollues do të zhvillohet të martën (1 korrik) në ora 18:00 në stadiumin e qytetit në Tetovë, ku kuqezinjtë presin Dinamo Cityn nga Shqipëria.
Kjo përballje përbën ndeshjen e katërt kontrolluese në kuadër të fazës përgatitore për sezonin e ri dhe do të shërbejë si provë gjenerale për ekipin para nisjes së garave ndërkombëtare.
Të martën e ardhshme, më 9 korrik, Shkëndija do të zbresë në fushë në kuadër të raundit të parë kualifikues të UEFA Champions League, ku do të përballet me kampionët e Uellsit, The New Saints.
Deri më tani, skuadra e drejtuar nga Jeton Beqiri ka zhvilluar tri ndeshje kontrolluese në Slloveni, duke testuar formacionet, kondicionin dhe idetë taktike të stafit teknik.
Përballja me Dinamo Cityn, një skuadër me emër në futbollin shqiptar, do të jetë testi i fundit në aspektin garues dhe do të ndihmojë trajnerin të ketë pasqyrë më të qartë për përbërjen bazë që do të zbresë në fushë në sfidën e parë evropiane.
Hyrja në stadium për këtë ndeshje është e lirë, dhe ftojmë të gjithë tifozët kuqezi që të jenë pranë skuadrës në këtë test të rëndësishëm!

