
Skuadra jonë po vijon fazën përgatitore në Antalia nën drejtimin e trajnerit Jeton Beqiri, duke u fokusuar në përmirësimin e formës fizike dhe taktike për pjesën pranverore të sezonit.
Pas testit të parë kundër ekipit Yelimay Semey, Shkëndija nesër do të zhvillojë miqësoren e radhës kundër skuadrës ukrainase Zorya Lugansk. Takimi do të luhet nga ora 13:30 sipas kohës në Maqedoni (15:30 në Turqi) dhe do të shërbejë si një test i rëndësishëm për vlerësimin e progresit të ekipit në këtë fazë përgatitore.
Gjatë këtyre ditëve, ekipi ka punuar me ngarkesa të shtuara, duke zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë, ku janë kombinuar ushtrimet e forcës dhe ato tekniko-taktike. Intensiteti i lartë ka ndikuar në lodhjen e lojtarëve, të cilëve u mungon freskia, veçanërisht duke zhvilluar seanca stërvitore edhe në ditët e ndeshjeve. Megjithatë, stafi teknik po ndjek me përpikëri planprogramin, pasi kjo periudhë është vendimtare për akumulimin e kondicionit dhe përgatitjen optimale për vazhdimin e sezonit.

