Shkëndija udhëton drejt Sllovenisë për fazën kryesore të përgatitjeve verore

Skuadra kuqezi nga 16 deri më 30 qershor do të qëndrojë në Terme Čatež të Sllovenisë, ku do të zhvillojë fazën kryesore të përgatitjeve në prag të sezonit të ri garues.

Pas javës së parë të punës në Tetovë, ekipi sonte (e hënë) udhëtoi drejt Sllovenisë, ku stafi teknik do të intensifikojë procesin përgatitor në funksion të sfidave që e presin Shkëndijën në arenën ndërkombëtare dhe kampionatin vendor.

Pikërisht në ditën e parë të qëndrimit në Slloveni, kuqezinjtë do të mësojnë edhe emrin e kundërshtarit të parë në eliminatoret e UEFA Conference League, duke shënuar kështu hyrjen zyrtare në një tjetër verë europiane.

Gjatë qëndrimit në Terme Čatež, fokusi do të jetë në ngritjen e formës fizike, përvetësimin e kërkesave tekniko-taktike dhe konsolidimin e skuadrës. Përveç seancave intensive stërvitore, Shkëndija do të zhvillojë edhe katër ndeshje kontrolluese ndaj kundërshtarëve cilësorë, përmes të cilave stafi teknik do të punojë në ndërtimin e lojës, harmonizimin e reparteve dhe definimin e formacionit për ndeshjet zyrtare që afrohen.

Me objektiva të qarta dhe sfida të rëndësishme përpara, faza në Slloveni pritet të jetë një etapë kyçe në përgatitjen e skuadrës për fillimin e sezonit të ri. 

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top