
Pauza e kampionatit për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare u shfrytëzua nga ekipi i parë i Shkëndijës për të ruajtur ritmin e lojës dhe për të eksperimentuar me variante të ndryshme taktike. Në këtë kuadër, skuadra zhvilloi një ndeshje kontrolluese kundër një përbërjeje të kombinuar nga gjeneratat U18 dhe U19 të akademisë së klubit.
Për ekipin e parë, ky ishte një test i vlefshëm për të mbajtur intensitetin në nivel të lartë dhe për të punuar në aspektin ofensiv. Ndeshja dhuroi dinamizëm dhe raste të shumta për kuqezinjtë, të cilët diktuan ritmin dhe krijuan shumë situata të rrezikshme para portës kundërshtare.
Pas një jave me ngarkesë të lartë stërvitore, ekipi i parë do të ketë një ditë të lirë, për të rinisur më pas përgatitjet për ndeshjen e xhiros së 25-të të kampionatit, që do të luhet të hënën e ardhshme (31.03.2025) ndaj AP Brera në Tetovë.

