Shkëndija përmbyll përgatitjet në Antalia me testin ndaj Dinamo Kiev

KF Shkëndija do të zhvillojë testin e fundit miqësor në kuadër të përgatitjeve dimërore në Antalia, të enjten përballë gjigantit ukrainas Dinamo Kiev. Takimi do të luhet në orën 15:00 sipas kohës tonë (17:00 me kohën lokale në Turqi) dhe përbën vazhdimësinë e një tradite mes dy klubeve, të cilët prej vitesh matin forcat kundër njëri-tjetrit në Antalia.

Përballjet me Dinamon nuk kanë sjellë vetëm duele cilësore, por edhe bashkëpunime konkrete mes dy klubeve. Në janar të vitit 2023, Reshat Ramadani tërhoqi vëmendjen në një nga këto miqësore dhe më pas u transferua te Dinamo Kiev. Një vit më vonë, në janar të vitit 2024, sërish pas një përballjeje miqësore, klubet arritën marrëveshje për rikthimin e Ramadanit te Shkëndija si huazim, për t’i dhënë mesfushorit më shumë minuta dhe hapësira për zhvillim.

Kjo do të jetë ndeshja e katërt e Shkëndijës në Antalia (deri tani luajtëm me Yelimay Semey-Kazakistan, Zorya Lugansk-Ukrainë dhe SKN St. Polten-Austri), derisa bashkë me miqësoret e luajtura në Maqedoni të Veriut (Bellasica dhe Tikveshi), kuqezinjtë çojnë në 6 numrin e kontrollueseve para vazhdimit të gjysmësezonit pranveror. 

Pas sfidës ndaj Dinamo Kiev, ekipi të shtunën rikthehet në Tetovë, ku do të vijojë përgatitjet deri në startin e kampionatit. Më 16 shkurt, Shkëndija do të përballet me Vardarin në Shkup, në ndeshjen e parë zyrtare për gjysmën e dytë të sezonit.

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top