
Studentet e Departamentit të Psikologjisë pranë Universitetit të Evropës Juglindore realizojnë hulumtim mbi dimensionin mendor të futbollistëve në sportin elitar.
KF Shkëndija mirëpriti në ambientet e saj stërvitore një grup studentësh nga Departamenti i Psikologjisë pranë Universitetit të Evropës Juglindore, të cilët zhvilluan një aktivitet kërkimor në kuadër të lëndës “Hyrje në kërkimin Psikologjik”, nën udhëheqjen e MSc. Lirie Aliti.
Ky hulumtim ka për qëllim të analizojë përvojën e brendshme të futbollistëve përmes metodës së Analizës Fenomenologjike Interpretative (IPA), duke u fokusuar në ndërveprimin mes kërkesave të performancës në nivel elitar dhe dimensionit emocional që vjen si pasojë e përgjegjësisë që mbart një klub me identitet të fortë.
Përmes intervistave dhe bashkëbisedimeve të strukturuara, futbollistët ndanë reflektime mbi rrugëtimin e tyre, menaxhimin e presionit, rikthimin pas momenteve sfiduese dhe balancimin e pritshmërive brenda dhe jashtë fushës.
Përzgjedhja e KF Shkëndija si subjekt i këtij studimi vjen si rezultat i rolit dhe pozicionit që klubi ka në sportin vendor, duke ofruar një kontekst të veçantë për analizë në aspektin psikologjik.
Ky aktivitet përfaqëson një tjetër hap në drejtim të një qasjeje bashkëkohore ndaj zhvillimit të ekipit, ku përveç aspektit fizik dhe taktik, rëndësi i kushtohet edhe dimensionit mendor të performancës.

