SHKËNDIJA 2-1 STRUGA | LIGA E PARË, Xhiroja e 4-të

Kuqezinjtë triumfuan 2:1 ndaj Struga Trim&Lum në derbin e xhiros së katërt, duke ruajtur maksimumin e pikëve dhe vendin e parë në renditje.

  • Shkëndija vazhdon serinë perfekte, 4 fitore nga 4 ndeshje
  • Ndzengue dhe Ibraimi nga pika e bardhë shënuan golat e fitores së Shkëndijës
  • Zejnullai asistoi për golin e parë, ndërsa Ndzengue shënoi dhe fitoi penalltinë për golin e dytë
  • Struga barazoi përkohësisht me penalltinë e Maleskit
  • Me 12 pikë të plota nga katër ndeshje, Shkëndija kryeson e vetme renditjen

Shkëndija vazhdon serinë e shkëlqyeshme në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke shënuar fitoren e katërt në po aq ndeshje. Në përballjen e zhvilluar në terrenin e kompleksit të FFM-së, kuqezinjtë triumfuan 2:1 ndaj Struga Trim&Lum.

Pas një fillimi të qetë, Shkëndija kaloi në epërsi në minutën e 29-të. Arbin Zejnullai krosoi nga krahu, ndërsa Fahd Ndzengue shënoi me kokë për 1:0. Vetëm gjashtë minuta më vonë, sulmuesi gabonez realizoi sërish, por goli u anulua për pozitë jashtë loje pas ndërhyrjes së VAR-it.

Shkëndija nuk hyri mirë në start të pjesës së dytë dhe përfitoi Struga që barazoi në minutën e 58-të me penallti të realizuar nga Hristijan Maleski, pasi VAR-i sinjalizoi një ndërhyrje të Florent Ramadanit ndaj kapitenit Bunjamin Shabani.

Megjithatë, Shkëndija reagoi, krijoi disa mundësi dhe në minutën e 86-të fitoi penallti, pasi Arbi Vosha ndërhyri ndaj Ndzengues. Pas konsultimit me VAR-in, gjyqtari tregoi pikën e bardhë, ndërsa Besart Ibraimi realizoi për fitoren 2:1.

Me 12 pikë të plota pas katër xhirove, Shkëndija mbetet skuadra e vetme me ecuri maksimale në kampionat.

Ndeshja e radhës

Sikski-Shkëndija

Shkup | 29 gusht 2026 | 17:00

SHKËNDIJA-STRUGA T&L 2:1 (1:0)

Stadiumi: Kompleksi i FFM-së, Shkup

Gjyqtar: Stojançe Trpçevski

Golashënues: Ndzengue 29’ dhe Ibraimi pen. 86’ (Shkëndija), ndërsa Maleski pen. 59’ (Struga)

SHKËNDIJA: Ramani, Trumçi, Islami, Manev, Abdurahmani, Ramadani, Zejnullai (c), Krasniqi (Ibraimi 72’), Tamba (Isa 90’+2), Kryeziu (Kërstevski 72’), Ndzengue. 

Trajner: Artim Pollozhani

STRUGA T&L: Jovçevski, Rama, Zendeli (Nuhija 83’), Agamah (Radeski 46’), Bojku, Shabani (c) (Kola 79’), Fall, Akinlosotu (Vosha 46’), Maleski, Belica (Hamza 65’), Diako.

Trajner: Bledi Shkëmbi

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top