
Imran Fetai debuton me stil për përfaqësuesen e vendit, dëmtohet Ramadani. Webster ndalet në stacionin e fundit para Kampionatit Botëror. Gaye titullar me Gambian, derisa Meliqi kapiten i Maqedonisë së Veriut U21.
Mbrojtësi i Shkëndijës Imran Fetai debutoi me ekipin përfaqësues të Maqedonisë së Veriut, duke qenë më i miri në takimin me Irlandën në Dublin. 23 vjeçari ishte thuajse i pagabueshëm gjatë 90-të minutave në barazimin 0:0.
Në këtë ndeshje luajti edhe Reshat Ramadani, i cili fatkeqësisht doli i dëmtuar. Ai hyri në lojë në minutën e 60-të në vend të Elif Elmas-it, mirëpo për arsye dëmtimi paraqitja zgjati vetëm 11 minuta, kur u zëvendësua.
Ronaldo Webster ka humbur mundësinë të luajë në Kampionatin Botëror 2026 në SHBA. Mbrojtësi i majtë luajti 90-të minuta për Xhamajkën kur u zëvendësua derisa rezultati i finales me Republikën Demokratike të Kongos ishte 0:0. Ndeshja shkoi në kohët shtesë dhe RD Kongo me gol në minutën e 100-të siguroi kualifikimin në Kampionatin Botëror.
Titullar dhe 90-të minuta edhe për Boubacarr Gaye në portën e Gambias që humbi 3:1 ndeshjen miqësore me pjesëmarrësin në Botërorin e ardhshëm, Senegalin.
Titullar, kapiten dhe 90-të minuta pozitive për Anes Meliqin në fitoren 2:0 të Maqedonisë së Veriut U21 në transfertën me Armeninë në eliminatoret për Europianin e të rinjëve. Numan Ajeti ishte në bankinë, por nuk mori minuta nga seleksionuesi Staniq.

