
Mbrojtësi i Shkëndijës, Jovan Manev foli në konferencën për shtyp në prag të sfidës së xhiros së gjashtë në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut kundër Tikveshit.
- Manev: Jam pritur shumë mirë nga të gjithë në klub dhe ndihem sikur kam një vit këtu
- Manev: Rezultatet e mira janë synimi ynë, por nuk ka vend për relaksim
- Manev: Tikveshi është kundërshtar cilësor, por ne do të japim 100% nga vetja për fitoren e radhës
Ndeshja e xhiros së 6-të e Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Shkëndijës dhe Tikveshit do të zhvillohet të premten në kompleksin e FFM-së në Shkup me fillim nga ora 19:00. Pas pesë fitoreve radhazi në pesë ndeshjet e para të kampionatit, mbrojtësi Manev konfirmoi harmoninë e shkëlqyer në ekip, gatishmërinë për të dhënë maksimumin dhe përqendrimin e plotë për të marrë një tjetër rezultat pozitiv.
…përshtatja dhe ambientimi te Shkëndija…
Jovan Manev: “Edhe pse ka kaluar vetëm një muaj që kur jam bashkuar me klubin, ndihem sikur jam këtu prej një viti. Jam i pritur jashtëzakonisht mirë nga lojtarët, nga ekipi, nga njerëzit në klub dhe nga tifozët. Gjithmonë jam i gatshëm të jap 100% nga vetja dhe shpresoj në suksese të mira të gjithë së bashku.”
…ecuria prej pesë fitoreve…
Jovan Manev: “Ajo është normale, si për çdo lojtar, rezultatet e mira janë synimi ynë. Mirëpo e gjitha kjo nuk na mashtron apo na bën të vetëkënaqemi, sepse na pret ende shumë punë përpara. Te ne nuk ekziston asnjë lloj relaksimi, pasi kemi për qëllim të jemi edhe më të mirë se deri tani.”
…Tikveshi dhe qasja ndaj ndeshjes…
Jovan Manev: “Shkëndija ndaj çdo kundërshtari qaset njësoj, me 100% përqendrim. Edhe pse Tikveshi është një kundërshtar mjaft cilësor dhe çdo ndeshje ka peshën e saj, shpresoj dhe jam i bindur se të gjithë do të jemi në 100% dhe do të japim maksimumin për të arritur një rezultat të mirë.”

