Prononcimi i Besart Ibraimit para ndeshjes me Bashkimin

Kapiteni i KF Shkëndijës, Besart Ibraimi, foli në konferencën për shtyp para duelit të xhiros së tetë në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut të premten nga ora 16:00 në Gostivar.

  • Ibraimi: Ekipi po kalon një mini-krizë të natyrshme, por jemi përgatitur mirë gjatë javës për t’u përgjigjur në fushë
  • Ibraimi: Fillimi i hershëm i përgatitjeve për shkak të Evropës ka sjellë lodhje, por jemi të gatshëm ndaj Bashkimit
  • Ibraimi: Formës personale i gëzohem, por më e rëndësishmja është realizimi i synimeve të përbashkëta të klubit

Takimi Shkëndija-Bashkimi i Kumanovës do të luhet të premten nga ora 16:00 në stadiumin e qytetit në Gostivar. Pas pesë fitoreve radhazi, kuqezinjtë pësuan një humbje ndaj Tikveshit dhe barazuan me Arsimin, ndërsa kapiteni analizoi situatën e ekipit, faktorët e lodhjes fizike, formën e tij personale dhe përqendrimin për t’u rikthyer te fitoret.

…gjendja e ekipit…

Besart Ibraimi: “T’ju them të drejtën, me Tikveshin menduam se ishte thjesht një ndeshje e rastësishme, por pasi u përsërit edhe me Arsimin, mund të them se është një mini-krizë e jona. Mirëpo besoj se çdo ekipe i ndodh kjo situatë. E rëndësishme është që ne këtë javë kemi punuar mirë, jemi të përgatitur për këtë ndeshje dhe shpresoj që do të përgjigjemi në fushë.”

…ndikimi i lodhjes nga ndeshjet e Evropës…

Besart Ibraimi: “T’ju them të drejtën edhe kjo ka të bëjë, pasi që është e natyrshme që ka lodhje. Ndeshjet evropiane kanë lodhje më të madhe dhe ndoshta edhe kjo është një nga arsyet. Megjithatë, ne jemi të gatshëm që të përgjigjemi në fushë kundër Bashkimit.”

…Bashkimi i Kumanovës…

Besart Ibraimi: “T’ju them të drejtën ne e respektojmë Bashkimin. E dimë që në ndeshjen e fundit me Vardarin luajtën 3:3 në fushën e tyre. Mirëpo nëse ne jemi në nivelin tonë ku duhet të jemi, besoj se nuk do të kemi problem.”

…forma personale, goli dhe asisti…

Besart Ibraimi: “E rëndësishme për mua çdo herë është që të kontribuoj për ekipin dhe të shkojmë aty ku e kemi ëndrrën të gjithë së bashku në fund të dalim kampionë, kjo është më e rëndësishmja. Normalisht kur shënon si sulmues apo kur asiston ndihesh mirë me veten. Unë mundohem në çdo stërvitje të jap maksimumin dhe të vazhdoj të shënoj e të asistoj për ekipin.”

… goli i bukur nga goditja e lirë ndaj Arsimit…

Besart Ibraimi: “T’ju them të drejtën ndoshta do ta kisha shijuar më shumë po të kishim fituar atë ndeshje. Normalisht që e kam rishikuar videon e golit, pak më kishte munguar ai goli nga goditja e lirë. Por për momentin do të isha më i lumtur po të kishim fituar ndeshjen.”

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top