
Mbrojtësi i djathtë analizoi ndeshjen e fundit, reagimin e pritur të skuadrës, punën e bërë për përmirësimin e gabimeve dhe përgatitjen e ekipit për t’u rikthyer menjëherë te fitorja.
- Trumçi: Kemi analizuar gabimet nga ndeshja e kaluar dhe jemi të gatshëm të ringremë kokën lart
- Trumçi: Arsimi është ekip serioz, por do të japim maksimumin për të marrë tre pikët
- Trumçi: Keqardhje për humbjen e fundit, por futbolli i ka këto dhe ne do të vazhdojmë me fitore
Mbrojtësi i djathtë i KF Shkëndijës, Aleksandër Trumçi, doli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së xhiros së shtatë në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut kundër Arsimit, e cila do të luhet të premten nga ora 16:00 në Gostivar. Pas pesë fitoreve radhazi, kuqezinjtë pësuan disfatën e parë të kampionatit xhiron e kaluar kundër Tikveshit.
…reagimi pas humbjes së parë kampionale…
Aleksandër Trumçi: “Normalisht që nuk është gjë e mirë kjo humbje pasi ne vinim nga pesë fitore. Por, ne e kemi analizuar ndeshjen, kemi parë gabimet tona që kemi bërë, pa i hequr meritat kundërshtarit sepse kundërshtari bëri ndeshjen e vet, por nga gabimet tona ne lejuam që të shkojë ndeshja ashtu si shkoi. Kampionati është i gjatë dhe ne jemi ekip që dimë të rikthehemi pas një humbjeje dhe të ngremë kokën lart e të mendojmë për ndeshjen e radhës.”
…këndellemi nesër me Arsimin në Gostivar…
Aleksandër Trumçi: “Mendoj që po, ne kemi punuar pas humbjes që kemi pësuar, kemi punuar dhe kemi analizuar çdo gabim që kemi bërë. Mendoj që jemi gati për të luajtur nesër me Arsimin. Normalisht që Arsimi është një ekip serioz dhe mendoj që çdo ekip na bën problem nëse ne nuk jemi seriozë dhe nëse nuk krijojmë lojën tonë që duhet të krijojmë. Por ne do të shkojmë në Gostivar dhe do të japim maksimumin për të marrë fitoren.”
…motivimi për vazhdimësinë…
Aleksandër Trumçi: “Mendoj që futbolli i ka këto gjëra. Normalisht që për ne është një keqardhje, pasi ishim në një seri të mirë fitoresh dhe na u ndërpre me një humbje dëshpëruese, por ne do të ngremë kokën dhe do të vazhdojmë me fitore.”

