
Shkëndija vazhdon në fazën kryesore të UEFA Conference League, pasi në play off të Europa League u eliminuam nga Ludogoretsi i Bullgarisë. Pas fitores 2:1 në Shkup, 90-të minutat e ndeshjes së kthimit u takuan vendasve me rezultat identik, derisa në kohën shtesë ishim të pafat kur pesuam edhe dy gola për humbje 4:1 dhe rezultat të përgjithshme 5:3.
…ndjenja të përziera…
Jeton Beqiri: “Mendoj se ishim afër kualifikimit sikur të kishim shënuar në ato minutat e fundit në rastin e 100% që kishim. Por, jam normalisht i dëshpëruar me eliminimin, megjithatë krenar me situatën që kemi arritur të luftojmë deri në minutën e fundit me klube me shumë eksperience dhe të fuqishme, të cilët marrin pjesë rregullisht në grupet e këtyre garave. Në këtë aspekt dua të falenderoj futbollistët që kanë dhënë maksimumin me pak fat dhe me pak kujdes, besoj qe mund të kualifikoheshim. Por, futbolli i ka të gjitha këto dhe ne duhet ta pranojmë rezultatin dhe të urojmë kualifikimin ekipit të Ludogoretsit dhe gjithashtu të mësojmë nga këto ndeshje, gjithmonë duke parë me pozitivitet.”
…ndeshja…
Jeton Beqiri: “Unë mendoj se luajtëm shumë dobët në pjesën e parë, veçanarisht në 25 minutat e para. Ishim shumë keq dhe kjo nuk ka të bëjë me përgatitjen fizike, pasi ekipi që ka problem me përgatitjet fizike duhet të luaj më dobët në pjesën e dytë, por lodhja e akumuluar dhe gjithashtu edhe udhëtimet e rënda që i kemi pasur gjatë kësaj periudhe, duke përfshirë edhe këtë udhëtimin në Razgrad që është shumë problematik, besoj që u merr freskinë futbollistëve. Megjithatë, pastaj mendoj që treguam një nivel të mirë në pjesën e dytë dhe me pak fat dhe me pak kujdes në rastin e Tambës mund të kualifikoheshim, pasi ishte në fund ndeshja. Gjithsesi, ne duhet ti përkrahim futbollistët, ne duhet të jemi korrekt me ata. Tamba ka shënuar disa gola, ka qenë shumë i rëndësishëm, portieri gjithashtu ka qenë i rëndësishëm, na ka mbajtur në lojë në momente shumë vendimtare. Edhe goli i tretë në vazhdime është i evitueshëm. Siç gabojmë ne të gjithë, nga unë u pari si trajner, kanë të drejtë të gabojnë edhe futbollistët. Unë jam i kënaqur jashtëzakonisht edhe me përkrahjen që na është dhënë. Një falenderim i veçant për grupin e jashtëzakonshëm Ballistët, të cilët ishin edhe këtu, e bënë që të ndjehemi si në shtëpinë tonë. Gjithashtu edhe një falenderim për të gjithë tifozët e vërtet që i japin përkrahje Shkëndijës. Besoj që i kemi bërë krenar gjatë kësaj vere dhe shpresoj që në grupet e Ligës së Konferencës do ti bëjmë gjithashtu krenar.”
…paraqitje dinjitoze…
Jeton Beqiri: “Unë jam i mendimit që duhet të jemi krenar, nuk duhet të jemi të turpëruar, duhet të jemi të mërzitur për eliminimin, por krenar për paraqitjen, duke i shikuar 8 ndeshjet që i kemi zhvilluar në Europë. Nëse dikush do na i jepte këto para fillimit të Kupave të Europës, me gjithë respekt dhe dëshirë do ta pranonim. Duhet të ngritemi dhe duhet të zhvillohemi, duke marrë parasysh që ku ishim para 15 muajve, në çfarë situate u përfaqësuam vjet në Kupat e Europës dhe tani ku jemi, besoj se është një dallim i jashtëzakonshëm. Unë insistoj që ne të rritemi ne si staf, futbollistët, klubi, ti përmirësojmë disa gjëra që do ta ngritin më lartë dhe të bëjmë diferencën në kampionatin vendor dhe duke u ngritur në rejtingun europian gjithsesi.”
…hyrje historike në Conference Legaue…
Jeton Beqiri: “Duhet të jemi të gëzuar që do të jemi në një short te ekipet e zgjedhura të botës. Jam gjithsesi krenar për këtë, ishim vetëm një rast larg grupeve të Liga Europës, por futbolli është kështu. Futbollist të cilët ndonjëherë shënojn, ndonjëherë gabojnë, ne duhet të forcohemi dhe duhet të ngritim akoma më shumë nivelin e lojës. I dëshpëruar për eliminimin, por jashtëzakonisht krenar për paraqitjen e përgjithshme, pasi kemi futur në ‘siklet’ skuadra shumë milionëshe e me eksperiencë dhe për mua kjo është një kënaqësi e veçantë.”

