
Shkëndija nuk ishte me fat mbrëmë në Shkup, kur “lëshoi nga duart” fitoren në sekondat e fundit të ndeshjes. Latifi (49’) na dha epërsi që na çoi pranë fitores së dytë në UEFA Conference League, mirëpo një gol i Lozanos në minutën e 10-të shtesë fiksoi rezultatin final, Shkëndija 1, Jagiellonia 1.
…barazimi…
Jeton Beqiri: “Mendoj se në sekondat e fundit të ndeshjes ishim të pafat dhe një devijim që ndryshoj kahjen e topit dhe pastaj portieri nuk mundi të reagonte. Besoj dhe mendoj që gjithmonë duhet të bëjmë më mirë diçka në fund, veçanarisht kur kundërshtari ishte me një lojtar më pak në fushë. Por pas lodhjes edhe koncentrimi bie më shumë edhe normalisht ndodhin edhe gabime të tilla.”
…pësojmë në fund…
Jeton Beqiri: “Patjetër, si realizuam në ndeshjen e fundit, në minutën e fundit, tani edhe u dënuam. Unë besoj se nuk ishte çështje gëzimi nga futbollistët, ata ishin të motivuar për të marrë fitore, por besoj që duhej të bënin diçka më mirë në minutat e fundit dhe sa e shoh videon pas ndeshjes, kemi pasur disa pozicione që kemi qenë keq të vendosur dhe ajo na dënoi në fakt.”
…dëmtimi i Zejnullait…
Jeton Beqiri: “Mendoj se situata e Arbinit nuk është e rrezikshme edhe pse fjalën e fundit duhet ta thotë mjekësia. Unë gjithmonë i shpreh keqardhje për situatën që ndodhi, pasi kishte një goditje të papërshtatshme nga afër. Dhe besoj, që ashtu siç më informuan edhe mjekët, ka humbur edhe vetëdijen për disa momente, por futbolli i ka këto gjëra. Ne duhet të qëndrojmë të fortë së bashku me të dhe duhet të kthehemi të luftojmë në ndeshjet e ardhshme.”
…pika e fituar dhe ndeshja e ardhshme me Dritën…
Jeton Beqiri: “Mendoj që ekipi luajti mirë në pjesën e parë. Taktikisht ne edhe ashtu e kishim përgatitur ekipin që të jemi më stabil në aspektin taktik në pjesën e dytë dhe të rrezikojmë më shumë. Dhe përveç sekondave të fundit, që duhej të bënim diçka më tjetër, mendoj se gjithçka tjetër funksionoi ashtu si duhet. Nëse ndonjëherë fati na buzqesh neve, në këtë situatë, fati ishte kundër neve. Por, ne duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësohemi për ndeshjet e ardhshme. Sa i përket, ndeshjes me Dritën, mendoj që do të jetë një festë futbolli nga të dyjat ekipet shumë cilësore dhe ekipe që kanë raporte jashtëzakonisht të mira në të gjitha nivelet. Besoj do të jetë një ndeshje e barabartë dhe le të fitojë më i miri.”

