Press para ndeshjes me Vardarin | Jeton Beqiri

Kuqezinjtë janë gati për startin e gjysmësezonit pranveror, ku ekipi ka synim të qartë për të kthyer titullin kampion në Tetovë. Dueli i parë i pjesës së dytë të sezonit sjell transfertë me Vardarin në Shkup. Ndeshje derbi mes dy ekipeve të njohura për rivalitetin e tyre, derisa luftojmë për ambice të kundërta. Vendasit kërkojnë mbijetesën, derisa ne kreun dhe trofeun. Para startit të pjesës së dytë kampionale, para mediave ka folur shefi i stafit teknik i KF Shkëndija, Jeton Beqiri, i cili duket i bindur se skuadra e gatshme pret restartin e garave.

Dueli Vardari-Shkëndija luhet të dielën në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup me fillim në orën 14:00. 

…faza përgatitore…

Jeton Beqiri: “Unë mendoj se gjatë fazës përgitore që startoi më 2 janar, kemi punuar me shumë seriozitet për fillimin e kampionatit dhe besoj se skuadra është e përgatitur që të nisur kampionatin me këmbë të mbarë. Duke llogaritur se kemi punuar me shumë përkushtim dhe futbollistët të cilët gjatë çdo seance stërvitore kanë dhënë maksimumin, besoj se janë të gatshëm për fillimin e kampionatit.”

…rezultatet ne testeve…

Jeton Beqiri: “Sa i përket punës së bërë gjatë fazës përgatitore në Turqi, theksi jonë nuk ishte te rezultatet, për shkak se në çdo ndeshje ne provonim variante dhe formacione të ndryshme. Ishte shumë e rëndësishme të gjithë futbollistët të kenë mundësi të shprehin kualitetin e tyre. Më e rëndësishme nga gjithçka ishte që në fund të fazës mos të kemi futbollistë të dëmtuar. Në ndeshjet kontrolluese kishte momente kur unë isha shumë i kënaqur me ekipin, kishte momente kur ne nuk funksiononim si duhet dhe nuk kishim përqëndrimin e duhur. Por megjithatë, gjithçka bëhet në fazën përgatitore dhe i shërben kampionatit. Besoj do të kemi një ekip të uritur, një ekip të përgatitur për fillimin e kampionatit dhe shpresoj që të kemi edhe fatin me vete dhe të dalim me rezultate sa më të mira.”

…i kënaqur me fondin e lojtarëve…

Jeton Beqiri: “Patjetër, ekipi i Shkëndijës është skuadër me futbollistë cilësorë të cilët kësaj radhe për dallim nga vera e shkuar, tani kemi bërë fazë përgatitore së bashku dhe çdo njëri ka gjendje të mirë fizike. Pastaj kemi edhe dy prurie të reja si portieri Jankov dhe sulmuesi Tamba. Ky i fundit me kalimin e kohës do merr veten akoma më shumë në aspektin fizik dhe besoj se ekipi do të jetë i kompletuar që tu përgjigjet sfidave të kampionatit. Ambiciet e Shkëndijës këtë vit dihen, ne synojmë titullin kampion, ashtu si shumë skuadra tjera. Mendoj se këtë vit liga me të vërtetë është e fuqishme, do të jetë garë e fortë. Kemi përballë skuadra serioze, por besoj se ne jemi skuadra që do ketë fjalën e fundit gjatë kampionatit.”

…Vardari…

Jeton Beqiri: “Është një derbi që sjell motivim të veçantë si për futbollistët, ashtu edhe për secilin person në klub. Unë jam shumë i sigurtë që ekipi do të bëjë maksimumin, jam i bindur se futbollistët janë të motivuar të japin më të mirën dhe shpresoj të dalim me rezultat pozitiv për të nisur kampionatin me këmbë të mbarë. Pavarësisht pozitave në tabelë dhe ekipit që ka ndërtuar Vardari, ky duel mbetet derbi për shkak se kanë ndryshuar shumë në këtë fazë përgatitore, është një e panjohur e vogël për ne edhe pse i kemi ndjekur në dy tre ndeshje. Besoj se do të jetë ndeshje e bukur, ku synimi ynë kryesorë është që të dominojmë ndeshjen, të jemi shumë agresivë dhe ofenzivë sa i përket lojës dhe besoj se në fund edhe rezultati do të na përgjigjet konform lojës së bërë.”

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top