Press para ndeshjes me Tikveshin | Mevlan Adili

Mbrojtësi kuqezi Mevlan Adili ka folur për mediat në konferencën për shtyp para ndeshjes së xhiros së 10-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, të dielën me Tikveshin. Përballja luhet në stadiumin e qytetit në Shtip me fillim në orën 14:00. 

…pauza kampionale…

Mevlan Adili: “Mendoj se si fillim kemi pushuar mirë, pastaj kur jemi kthyer në stërvitje kemi punuar me ngarkesa maksimale. Kjo na erdhi shumë mirë edhe pse kishim mungesa lojtarësh që ishin grumbulluar me ekipet përfaqësuese. Si skuadër kemi punuar shumë dhe mendoj se kemi marrë më të mirën. Pastaj kemi analizuar ndeshjen e fundit me Sileksin, duke vendosur theksin te disa situata ku duhet të përmirësohemi për të ecur para.”

…përgatitja fizike…

Mevlan Adili: “Normalisht, çdo pauzë që kemi e shfrytëzojmë në maksimum si mini fazë përgatitore. Bëjmë ndeshje kontrolluese ku u jepet mundësi për të luajtur edhe futbollistëve që nuk kanë patur shumë minuta. Futbollit nuk i dihet, ka kartona (pezullime), ka lëndime dhe secili duhet të jetë i gatshëm për të dhënë maksimumin kur ti vijë mundësia. Dihet objektivi ynë është që në fund të dalim kampion dhe çdonjëri e din se në ekip kampion, në ekip si Shkëndija, nuk është e lehtë të luash e të përfaqësosh këto ngjyra. Në çdo moment duhet të jesh në maksimumin tënd dhe të jesh pozitiv.”

…Tikveshi…

Mevlan Adili: “Skuadër që meriton respekt, pasi e ka dëshmuar edhe sezonin e shkuar kur fituan Kupën e vendit, gjë që s’është e lehtë. Sa i përket ndeshjes mendoj se është koha dhe momenti për të dëshmuar se dimë të fitojmë edhe jashta Tetovës, sepse këto fitore sipas meje nuk vlejnë 3, por 6 pikë. Pavarësisht pozitës momentale, të fitosh Tikveshin si mysafir ka vlerë. Nuk na gënjen situata e tyre, pasi pozita në renditje nuk është reale konform cilësisë. Shpresoj nesër të jetë momenti dhe dita jonë.”

…terreni neutral…

Mevlan Adili: “Duke e ditur se ata janë ekip mjaft i fortë në fushën e tyre, mendoj se fakti që luajmë në Shtip në një masë të vogël na lehtëson neve. Por nuk guxojmë të mendojmë këto gjëra, të jemi të bindur se për ne nuk duhet të ketë rëndësi fusha ku luajmë, apo kundërshtari që kemi përballë. Mendoj se për çdo ndeshje duhet të futemi për fitore, pa menduar kurrë rezultatin negativ dhe mendoj se kjo mënyrë e të të menduarit dhe të qenurit optimistë në fund do të na shpërblehet”.

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top