
Titulli kampion kthehet në Tetovë. Sot Shkëndija zyrtarisht pranon trofeun e pestë në histori, derisa mbyllim sezonin me ndeshjen e xhiros së 33-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë, përballë Sileksit. Në konferencën e fundit për shtyp para një ndeshje të këtij sezoni ka folur mbrojtësi, Mevlan Adili.
Përballja Shkëndija-Sileksi luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 17:00.
…ndeshja e fundit…
Mevlan Adili: “Dua të përshëndes Tetovën kampione, Shkëndijën kampione, përshëndetje për të gjithë, duke nisur nga ata që përkujdesen për stadiumin, deri te presidenca. Urime titullin kampion gjithëve, është një titull bio 100%, askush nuk na ka dhënë dorë, e merituam me punë dhe ndihmën e Zotit. Sa i përket ndeshjes së nesërme normalisht se nuk do të kemi stres negativ, t’ia mendojmë ndeshjes. Do të kemi stres pozitiv. Menzi presim të shofim atmosferën të cilën do ta përgatisin tifozët tanë. Jemi të lumtur me vendimin e federatës për të lejuar praninë e publikut, për ta shijuar këtë titull me familjet tona, me tifozë tanë më të bukur që janë ‘Ballistën’, me qytetarët e Tetovës. Keqardhje për ata njerëz që janë jashtë vendit, dihet se kemi shumë tifozë jashtë vendit dhe besoj se do të na ndjekin përmes platformës tonë në Youtube dhe shpresoj të kenë ngelur nga ne të kënaqur. Ishte vit i vështirë, por ëmbëlsira në fund është se i’a dolëm të shpallemi kampion.”
…shkupjan me dy tituj në Tetovë…
Mevlan Adili: “Normalisht unë jam një shkupjan, mirëpo më shumë më ka ngroh Tetova, pasi e thatë edhe vetë se jam shpallur kampion dy herë. Ky titull tani më kënaq shumë dhe e kam shijuar në maksimum, pasi kam pasur një tjetër përgjegjësi në raport me titullin e parë (2018) kur isha më i ri dhe tani jemi në tjetër moshë. Nuk është njejtë si të dalësh me Shkëndijën kampion, apo me një skuadër tjetër. Fitoj dy herë titullin me Shkëndijën dhe është një emocion i veçantë pasi ky klub përfaqëson shqiptarët kudo që janë. Kur Shkëndija fiton, të gjithë duan ta mundin Shkëndijën dhe kjo e bën edhe më të bukur klubin pasi të gjithë i ka kundërshtar, kjo dëshmohet nga qasja e ekipeve tjera. Mirëpo është edhe një gjë shumë interesante që patjetër më duhet ta them se me këtë klub ndodh që kur i troket vëllaut në derë, ndoshta nuk ta çel derën, por t’i çel sytë.”

