
Pas pauzës dy javore shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese, elita e futbollit vendor kthehet në aksion dhe kuqezinjtë të dielën në terren mysafir luajnë me Shkupin. Derbi shqiptar i xhiros së 5-të të elitës së futbollit të Maqedonisë tërheq vëmendje të madhe, kësaj rradhe paralel me rivalitetin sportive, duke u bërë shembull për trajtimin vëllazëror. Para duelit që do të luhet të dielën në Çair me fillim në orën 15:00, ka folur kapiteni i Shkëndijës, Besart Ibraimi, i cili nuk fsheh kënaqësinë që do të jetë sërish pjesë e derbit të madh shqiptar, derisa fton ekipin të bëjë më të mirën në terren për të dalë me rezultatin e dëshiruar.
…Shkupi-Shkëndija…
Besart Ibraimi: “Atmosfera është shumë e mirë, kishim një mini-fazë përgatitore gjatë pauzës dy javore dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Është kënaqësi të luash në këtë ndeshje, është derbi i madh shqiptar. Unë si futbollist jam i kënaqur që sërish do të shijoj këtë ndeshje. Marrëdhëniet vëllezërore me këtë klub shpresoj të forcohen akoma më shumë, besoj se do kemi pritje si është më së miri dhe ne t’ua kthejmë në të njejtën mënyrë.”
…ndeshja…
Besart Ibraimi: “Është një derbi dhe si e tillë ka vështirësitë e veta. E respektojmë skuadrën e Shkupit maksimalisht, por ne do të japim më të mirën dhe shpresoj të dalim me rezultat pozitiv.”
…pauza kampionale…
Besart Ibraimi: “Besoj se kemi ecur mirë në këtë fazë dy javorëshe dhe shpresoj që këtë ta materializojmë dhe me pak fat të marrim atë që dëshirojmë.”
…objektivi…
Besart Ibraimi: “Ne gjithmonë synojmë fitoren. E rëndësishme është të japim më të mirën dhe pastaj fusha do të tregojë se sa kemi merituar.”
…forma e Ademit…
Besart Ibraimi: “Është kënaqësi e veçantë për mua kur shoh që mundem t’u ndihmoj dhe të jap kontribut për të rinjtë që t’i shoh lartë e më lartë.”
…porosia për tifozët…
Besart Ibraimi: “E potencova edhe më parë. Shkupi dhe Tetova edhe më parë kanë pasur respekt në mënyrë vëllezërore. Shpresoj që lidhjet tona t’i forcojmë dhe të jemi shembull vetëm për të mirë.”

