
Trajneri Beqiri dhe kapiteni Ibraimi flasin para mediave për ndeshjen e të martës me The New Saints FC nga Uellsi.
• Beqiri: Besoj se skuadra dhe futbollistët do të japin më të mirën
• Ibraimi: E njohim TNS-në dhe dimë anët pozitive dhe negative
• Beqiri: Kanë 3,4 ndryshime, kryesisht përdorin një formacion standard
• Ibraimi: Fokus maksimal tani. Fitorja bindëse herën e parë bëri të luanim më të relaksuar këtu
Kuqezinjtë janë vendosur në afërsi të qytezës Oswestry, që zyrtarisht është në teritorin e Anglisë, ku të martën nga ora 20:00 sipas kohës sonë lokale, përballë kampionit të Uellsit do të zhvillojmë ndeshjen e parë të raundit të parë të eliminatoreve të UEFA Champions League. Pak para seancës zyrtare stërvitore në “Park Hall Stadium”, trajneri Jeton Beqiri dhe kapiteni Besart Ibraimi para mediave folën për pritjet e Shkëndijës nga kjo përballje.
Jeton Beqiri: “Jemi të gatshëm në maksimum për tu përballur me kundërshtarin e nesërm. Nga fillimi i fazës përgatitore kemi punuar me shumë seriozitet dhe pas shortit jemi përgatitur për përballjen e nesërme. Besoj se skuadra dhe futbollistët do të japin më të mirën nesër”.



Besart Ibraimi: “Të them të drejtën e njohim TNS-në si kundërshtar, i kemi analizuar dhe dimë anët pozitive dhe negative. Duke i njohur nga e kaluara dhe me kujtime pozitive kur i eliminuam, gëzohemi që do luajmë sërish dhe shpresoj sërish të bëjmë të njejtën”.
Jeton Beqiri: “Besoj i kemi analizuar mirë, kanë pasur edhe ndeshje jo zyrtare të cilat kryesisht janë filmuar me kamera jo profesionale. Por besoj se kemi arritur të marrim informacionet e duhura. Kanë tre apo katër ndryshime në skuadër, kryesisht është një formacion që standard e përdorin. Shpresoj që tu kemi dhënë informacione të mjaftueshme dhe të sakta futbollistëve nga të cilës pres nesër të japin maksimumin dhe të dalim me rezultat pozitiv”.
Besart Ibraimi: “Nuk duhet të ndikon te ne ajo humbje e vitit 2018 në këtë stadium, pasi po të analizosh ndeshjen e parë ne fituam me rezultat të thellë dhe menduam se këtu do të ishte e lehtë. Por tani jemi të vetëdishëm dhe të bindur se ata në fushën e vet luajnë më mirë. Me rëndësi nesër mos humbim, që pastaj ta dominojmë takimin e kthimit dhe të kualifikohemi”.

