NJOFTIM | Sezoni i ri fillon me risi në organizim shkaku i implementimit të sistemit VAR

Nis sezoni i ri me ndryshime. Mediat (gazetarët) me hapsirë të veçantë. Bileta për VIP/lozhë, zona të kufizuara rreth hyrjes zyrtare dhe kapacitet i zvogëluar në tribunën Jugore. Ndeshjet live në televizionin shtetëror.

Të premten (08.08.2025) me ndeshjen Shkëndija-Shkupi, nis sezoni i ri 2025/2026 në elitën e futbollit vendor. Përballë një viti të ri garues, klubi ynë hyn në një fazë të re edhe në aspektin organizativ, me disa risi infrastrukturore që vijnë si rezultat i implementimit të sistemit VAR në stadiumin tonë.

Ndryshime në infrastrukturë dhe organizim

Për shkak të kërkesave teknike që sjell funksionimi i VAR-it dhe transmetimi televiziv, janë realizuar disa ndërhyrje në zonat përreth stadiumit dhe në vetë tribuna. Këto ndryshime ndikojnë në disa procedura të reja për publikun dhe përfaqësuesit e mediave, për të cilat ju informojmë më poshtë:

Hyrja në zonën VIP dhe lozhë

Nga tani, hyrja në lozhë dhe pjesën VIP bëhet vetëm me bileta të veçanta hyrëse, të cilat nuk janë në shitje publike, por ndahen nga klubi në mënyrë të kufizuar për individë të caktuar si: përfaqësues të klubit, partnerë institucionalë, sponsorë, familjarë të futbollistëve dhe persona të ftuar zyrtarisht.

Ky rregull është vendosur për të siguruar menaxhim më të kontrolluar të hapësirës në përputhje me standardet teknike të reja dhe në funksion të sigurisë.

Kufizime para hyrjes zyrtare të stadiumit

Me qëllim sigurimin e hapësirës për automjetet teknike (furgonë) të transmetimit, zona para hyrjes zyrtare të stadiumit do të jetë e rrethuar dhe e kufizuar për parkim dhe qarkullim. Kjo masë është e përkohshme dhe e nevojshme për të përmbushur kërkesat e transmetuesve dhe funksionalitetin e VAR-it.

Vendndodhja e re për mediat (gazetarët)

Në sezonin e ri, përfaqësuesit e mediave nuk do të qëndrojnë më në lozhë, por vendi i tyre i akredituar do të jetë platforma e dedikuar në katin e sipërm të tribunës Jugore (Press Tribune).

Pas përfundimit të ndeshjes, gazetarët do të kenë mundësinë të zbresin në zonën e miksuar për të marrë deklaratat nga trajnerët dhe lojtarët.

Biletat për ndeshjet kampionale

Çmimi i biletës për ndeshjet kampionale në shtëpi është 100 denarë. Biletat do të jenë të vlefshme për hyrje në tribunat përkatëse, përveç zonave të rezervuara për arsye organizative.

Zvogelim i kapacitetit në tribunën Jugore (Qendrore)

Për shkak të nevojës për vendosjen e balancuar të kamerave të transmetimit dhe atyre të VAR-it, pjesë të caktuara të tribunës Jugore do të jenë jashtë funksionit për publikun, duke sjellë reduktim të kapacitetit të përgjithshëm në këtë zonë.

Transmetimi i ndeshjeve

Për shkak se të drejtat televizive janë shitur, ndeshjet nuk do të transmetohen direkt si deri tani në kanalin e klubit në Youtube, por të njejtat do të mund të ndiqen në televizionin shtetëror (RTVM).

Faleminderit për mirëkuptimin

Klubi falënderon publikun dhe përfaqësuesit e mediave për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, në këtë fazë kalimtare drejt përmirësimit të standardeve.

Me rinovimin e plotë të stadiumit, objektivi ynë është të krijojmë kushte optimale për të gjithë, futbollistë, staf, media dhe tifozë.

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top