
Shkëndija organizoi një aktivitet të veçantë që bashkoi futbollistët e ekipit të parë me gjithë gjeneratat e shkollës së futbollit, në një ditë të mbushur me emocione, fotografi dhe frymëzim për të ardhmen kuqezi.
KF Shkëndija organizoi një “Open Day” special me pjesëmarrjen e futbollistëve të ekipit të parë dhe gjithë gjeneratave të shkollës së futbollit, në një atmosferë unike bashkimi dhe krenarie kuqezi.



Klubi aktualisht numëron 12 gjenerata me mbi 330 fëmijë, duke përfshirë grupmoshat nga U8 deri te U19, çka dëshmon përkushtimin dhe punën e vazhdueshme në zhvillimin e talenteve të rinj.
Ngjarja u realizua në kuadër të fotosesionit zyrtar të klubit për projektin e ri të albumit të Shkëndijës, ku për herë të parë do të përfshihen ekipi i parë, historia e klubit dhe të gjitha gjeneratat e Shkollës së futbollit në një botim të vetëm.



Për talentët e rinj kuqezi kjo ishte një mundësi e veçantë për të kaluar kohë pranë futbollistëve të ekipit të parë, skuadrës që këtë sezon shkroi historinë me paraqitjen në fazën kryesore të UEFA Conference League dhe pjesëmarrjen në play-off-et evropiane.



Gjatë aktivitetit, futbollistët e rinj realizuan fotografi, morën autografe dhe ndanë momente të shumta me të preferuarit e tyre, ndërsa në fund u realizua edhe fotografia e përbashkët e gjithë familjes kuqezi, ekipi i parë dhe gjithë gjeneratat e Shkollës së Shkëndijës.
Ky aktivitet simbolizon lidhjen mes suksesit të së tashmes dhe të ardhmes së klubit, duke motivuar gjeneratat e reja që një ditë edhe ata të jenë pjesë e historive të mëdha kuqezi.

