
Baboucar Gaye ka nisur fazën e rikthimit në stërvitje, ndërsa Rafael Freitas dhe Marko Gjorgjievski vazhdojnë procesin e rikuperimit pas dëmtimeve të fundit.
Derisa skuadra përgatitet për sfidat e radhës në kampionat, ekipi mjekësor është duke punuar intensivisht për kthimin sa më të shpejtë të futbollistëve të dëmtuar. Për momentin, jashtë kombinimit janë portieri Baboucar Gaye, mesfushori Rafael Freitas dhe sulmuesi Marko Gjorgjievski.
Baboucar Gaye
Portieri Baboucar Gaye, pasi ka ndjekur të gjitha hapat e programit të rehabilitimit në Gjermani dhe i është nënshtruar analizave shtesë, është vlerësuar pozitivisht për ecurinë e rikuperimit. Megjithatë, rikuperimi i plotë kërkon pak më shumë kohë sesa ishte parashikuar në vlerësimin fillestar.
Gaye tashmë prej disa ditësh është kthyer në Tetovë dhe ka nisur stërvitjet individuale me trajnerin e portierëve. Javën e ardhshme pritet të rikthehet në stërvitje të plotë me grupin, ndërsa përgatitësi fizik do të japë vlerësimin përfundimtar për momentin kur ai do të jetë i gatshëm për t’u rikthyer në fushë.
Rafael Freitas
Mesfushori brazilian, Rafael Freitas, në ndeshjen e fundit ndaj Bregallnicës ka pësuar një tërheqje të muskulit rectus abdominis. Ai vazhdon me terapi, ndërsa javën e ardhshme do t’i bëhet një rivlerësim i gjendjes përpara se të merret vendimi për kthimin e tij të plotë në stërvitje.
Marko Gjorgjievski
Sulmuesi Marko Gjorgjievski mbeti i dëmtuar në stërvitjen e fundit para ndeshjes së dytë ndaj Hibernianit, në kuadër të eliminatoreve të UEFA Conference League. Ekzaminimet kanë konfirmuar një rupturë parciale të muskulit adductor longus.
Gjorgjievski vazhdon terapinë, ndërsa gjatë javës në vijim gjendja e tij do të rivlerësohet për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të rikuperimit.

