
Shorti i hedhur sot në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës përcaktoi se kuqezinjtë, nëse eliminojnë Hibernianin e Skocisë në raundin e tretë kualifikues, do të përballen me fituesin e çiftit IFK Göteborg (Suedi) – Gent (Belgjikë).
Sot në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës u hodh shorti për fazën “play-off” të UEFA Conference League, ku Shkëndija mësoi kundërshtarin e mundshëm në rast të kualifikimit nga raundi i tretë eliminator.
Nëse kuqezinjtë kalojnë me sukses pengesën e Hibernianit të Skocisë, në fazën e fundit para inkuadrimit në fazën e ligës do të përballen me fituesin e çiftit IFK Göteborg (Suedi) – Gent (Belgjikë).
Para këtij skenari, skuadra jonë mbetet e fokusuar maksimalisht te përballja me Hibernianin. Ndeshja e parë zhvillohet të enjten në Edinburg, ndërsa sfida kthyese një javë më vonë në Shkup.
Në rast kualifikimi, ndeshjet e fazës “play-off” të UEFA Conference League do të luhen më 20 dhe 27 gusht.

