
Një miqësore e hapur dhe me ritëm në Podujevë, ku Llapi shënoi fitore minimale 1:0 ndaj kuqezinjve. Arbnor Ramadani realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 17-të.
Shkëndija zhvilloi një duel të bukur miqësor ndaj Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në një përballje të hapur nga të dyja skuadrat.
Goli i vetëm i takimit erdhi në minutën e 17-të, kur Arbnor Ramadani realizoi në mënyrë të bukur për epërsinë e skuadrës vendase. Të dyja ekipet patën mundësi për të shënuar gjatë pjesës së parë, ndërsa Llapi pati një rast të mirë edhe me ish-futbollistin e Shkëndijës, Fiton Ademi, por portieri Ramani reagoi me një superpritje.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë morën iniciativën dhe dominuan lojën, duke krijuar disa mundësi të mira për të barazuar. Megjithatë, goli mungoi dhe takimi u mbyll me fitoren minimale 1:0 të Llapit.
Për të dy trajnerët, Tahir Batatina dhe Artim Pollozhani, kjo miqësore ishte një mundësi e mirë për t’u dhënë minuta të gjithë lojtarëve në dispozicion dhe për të kompensuar mungesën e ndeshjeve gjatë pauzës ndërkombëtare.
Pas kësaj përballjeje, të dyja skuadrat vazhdojnë përgatitjet për rikthimin në garat vendore, ku në fundjavën e ardhshme i presin obligimet kampionale.
LLAPI-SHKËNDIJA 1:0 (1:0)
Stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë
Golashënues: Ramadani 17’ (Llapi)
SHKËNDIJA: Ramani, Trumçi, Ceka, Manev, Zejnullai (c), Islami, Ramadani, Kryeziu, Krasniqi, Tamba, Ndzengue.
Luajtën edhe: Gjorgjievski, Ibraimi, Kërstevski, Isa, Murati, Amzai, Rufati, Rexhepi dhe Xheladini.

