
Ekspedita e KF Shkëndija ka udhëtuar sot drejt Antalyas së Turqisë, ku nga dita e sotme e deri më 1 shkurt do të zhvillojë fazën kryesore të përgatitjeve dimërore, në prag të vazhdimit të sezonit garues.
Gjatë qëndrimit në Turqi, ekipi do të përqendrohet maksimalisht në përgatitjen për sfidat që e presin në kampionat, Kupën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për pjesëmarrjen historike për herë të parë në play-off-in e UEFA Conference League, ku Shkëndija do të përballet me skuadrën turke Samsunspor.
Ronaldo Webster do të mungojë në ditët e para të fazës përgatitore të KF Shkëndija, pasi ka marrë ftesë zyrtare nga Përfaqësuesja e Xhamajkës për grumbullim dhe ndeshje miqësore. Webster do të jetë në dispozicion të kombëtares së tij për periudhën 6–19 janar, në kuadër të përgatitjeve për kualifikimet e Kampionatit Botëror, përfshirë edhe duelin miqësor ndaj Grenadës.
Përveç seancave të rregullta stërvitore, fokusi kryesor do të jetë në ngritjen e nivelit të përgatitjes fizike përmes ngarkesave të planifikuara, ndërsa paralelisht do të punohet edhe në ndërtimin e lojës, aspektin tekniko-taktik dhe koordinimin e skuadrës, nën drejtimin e stafit teknik.
Në kuadër të kësaj faze përgatitore, kuqezinjtë do të zhvillojnë gjithsej katër ndeshje kontrolluese në tokën turke. Ndeshjen e parë testuese e kemi caktuar më 20 janar ndaj FC Oleksandrya nga Ukraina, më 24 janar luajmë me FK Podbrezova nga Sllovakia, më 28 janar përballemi me FK Sarajevo nga Bosnje dhe Hercegovina, ndërsa ndeshja e fundit kontrolluese do të luhet më 1 shkurt ndaj FC Ordabasy nga Kazakistani.

