
Shkëndija në Qipro me darkën e fundvitit e mbylli zyrtarisht pjesën vjeshtore të kampionatit, me ekipin që shkon në pushim dhe do të rikthehet në punë më 5 janar, kur nisin përgatitjet dimërore për gjysmësezonin pranveror.



Pas një gjysmësezoni tejet intensiv dhe historik, futbollistët e Shkëndijës nga Larnaka e Qipros kanë nisur pushimin dimëror. Sezoni filloi që në muajin gusht me eliminatoret e garave evropiane dhe u ngjesh maksimalisht me hyrjen në fazën kryesore të UEFA Conference League, ku e kurorëzuam me arritje historike dhe kualifikim në play off, duke siguruar të paktën edhe dy ndeshje tjera në Evropë.



Përgjatë këtij gjysmësezoni, Shkëndija zhvilloi plot 32 ndeshje zyrtare, 16 në kampionat, 2 në Kupën e vendit dhe 14 në arenën evropiane, duke regjistruar një ritëm rekord garash.



Pas ndeshjes së së enjtes ndaj AEK Larnaca, ekipi qëndroi edhe dy ditë shtesë në Qipro, ku sonte u organizua edhe darka tradicionale e fundvitit. Ndryshe nga vitet e kaluara kur kjo darkë mbahej në Tetovë, këtë herë ajo u zhvillua në Larnaka, për shkak të udhëtimeve direkte të lojtarëve të huaj drejt vendeve të tyre.
Shkëndija do të rikthehet në punë më 5 janar, kur nisin përgatitjet dimërore për gjysmësezonin pranveror.

