Kuqezinjtë me katër ndeshje rresht pa pësuar gol presin Strugën në Tetovë

“Kjo s’është rastësi, funksionojmë shumë mirë dhe secili jep maksimumin, por e dimë se duhet të përmirësojmë realizimin. Ndeshja me Strugën është një sfidë e radhës, dhe jemi të gatshëm ta japim më të mirën për t’i bërë tifozët tanë krenarë”, thotë Merxhani. 

KF Shkëndija do të përballet këtë të diel, në orën 13:00, me Strugën në Tetovë në kuadër të xhiros së 11-të të Ligës së Parë të Maqedonisë, me një seri mbresëlënëse në mbrojtje. Kuqezinjtë nuk kanë pësuar asnjë gol në katër ndeshje të njëpasnjëshme zyrtare, duke konfirmuar formën e qëndrueshme në mbrojtje dhe kontrollin e lojës.

Shkëndija e mposhti Vardarin me rezultat të thellë 4:0, dhe ruajti rrjetën e paprekur në dy barazime pa gola si mysafire me Sileksin dhe Tikveshin në kampionat, si dhe një fitore 1:0 në Kupë ndaj Shkëndijës së Haraçinës. Kjo ecuri në mbrojtje shkon përtej statistikave, pasi pavarësisht barazimeve me Sileksin dhe Tikveshin, kuqezinjtë dominojnë në posedimin e topit, krijojnë shanse dhe minimizojnë hapësirat për kundërshtarët, duke treguar ekuilibër mes mbrojtjes dhe sulmit.

Megjithatë, përmirësimi i realizimit mbetet prioritet, pasi në tri ndeshjet e fundit ekipi ka krijuar mundësi shënimi që nuk janë konkretizuar. Trajneri dhe lojtarët po punojnë intensivisht në stërvitje për ta ndryshuar këtë fakt, duke synuar kthimin e efikasitetit në përputhje me cilësinë e lojës së treguar.

Mbrojtësi i majtë, Zija Merxhani, i cili ka qenë një pikë kyçe në mbrojtje, ndan përshtypjet e tij për këtë ecuri pozitive të mos pësimit të golave. 

“Nuk është rastësi që kemi mbajtur portën të paprekur në këto ndeshje. Ekipi po funksionon shumë mirë, me çdo lojtar që jep maksimumin. Gjithsesi, e dimë që duhet të përmirësojmë konkretizimin në sulm dhe jemi të përqendruar për të arritur rezultate të plota. Ndeshja me Strugën është një sfidë e radhës, dhe jemi të gatshëm ta japim më të mirën për t’i bërë tifozët tanë krenarë”, thotë Merxhani. 

Kuqezinjtë janë të vendosur për ta vazhduar këtë seri pozitive dhe për të synuar fitoren në përballjen e së dielës. Në këtë drejtim pritet mbështetja e publikut për të kaluar këtë sfidë të rëndësishme!

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top