
Trajneri Pollozhani dhe kapiteni Ibraimi paralajmërojnë duelin e parë të xhiros së parë të UEFA Conference League të enjten ndaj Europa FC në Gjibraltar, duke kërkuar përkushtim maksimal dhe fitore për të lehtësuar ndeshjen e kthimit.
Pollozhani: Duhet të kemi qasje dhe angazhim maksimal nga i pari deri te i fundit
Ibraimi: Jemi favoritë në letër, por në ditët e sotme nuk ka më ndeshje të lehta
Pollozhani: Trajnerin e Shkëndijës gjithmonë duhet ta kënaqin vetëm fitoret
Ibraimi: Primare mbetet që ekipi të ecë përpara dhe të arrijmë qëllimin së bashku
Nga Gjibraltari, ku skuadra kuqezi rikthehet në garat europiane në xhiron e parë të UEFA Conference League, trajneri Artim Pollozhani dhe kapiteni Besart Ibraimi kanë shpalosur pritshmëritë e tyre fjalë për fjalë për këtë duel të rëndësishëm ndaj Europa FC. Takimi luhet të enjten në orën 19:30 dhe do të transmetohet direkt në kanalin zyrtar të klubit në Youtube (Shkëndija Channel).
…cikli i ri në Europë…
Artim Pollozhani: “Nesër fillon një cikël i ri për ne, fillojmë Kupat e Europës, një cikël i rëndësishëm. Siç e përmendët edhe ju, vjet klubi bëri një sukses të jashtëzakonshëm në Europë. Por, ai sukses tashmë i përket së kaluarës dhe sigurisht që ne do të tentojmë të shkojmë goxha larg këtë vit, sepse potenciali ekziston. Mendoj që me një qasje dhe angazhim maksimal, nga i pari deri te i fundit, mund ta arrijmë larg. Sa i përket fazës përgatitore, është mjaft e rëndësishme që ajo kaloi me sukses dhe i gjithë grupi është i plotë, kështu që do të konkurrojnë të gjithë ata që janë gati për ndeshjen nesër.”
…rëndësia e ndeshjes dhe qasja…
Besart Ibraimi: “Të them të drejtën, në ndeshjen e nesërme normal që ne jemi favoritë, por me të vërtetë përkushtimi ynë do të jetë maksimal. Duhet të qasemi me seriozitetin më të madh, sepse në ditët e sotme nuk ka ndeshje të lehta. Jemi përgatitur, e kemi analizuar kundërshtarin dhe shpresojmë që nesër ta fitojmë ndeshjen, në mënyrë që në ndeshjen e kthimit ta kemi më lehtë.”
…kundërshtari (Europa FC) dhe fusha sintetike…
Artim Pollozhani: “Patjetër që informacione kemi, kryesisht nga kampionati i kaluar. Bëhet fjalë për një ekip që ka manovër brenda lojës, duke pasur parasysh që janë afër me një shtet si Spanja, që do të thotë se manovra ekziston. Çfarë është karakteristike për ta, në kampionatin e shkuar kanë pësuar vetëm 16 gola, që tregon se faza e mbrojtjes është mjaft solide. Nëse nuk do të kemi veprime të shpejta, unë mendoj se do ta kemi të vështirë.
Sa i përket fushës sintetike, qasja e të gjithë futbollistëve duhet të jetë që të përshtatemi sa më shpejt. Nuk besoj se do të jetë ndonjë hendikep i madh nëse përshtatja bëhet brenda kohës së ndeshjes. Në kampionatin tonë nuk ka fusha të tilla, por gjithçka është te koka dhe te përshtatshmëria. Nuk do të kemi problem nëse futemi me mendimin që duhet ta fitojmë ndeshjen dhe me qasjen e vërtetë.”
…dëshira për gol dhe objektivi i ekipit…
Besart Ibraimi: “Çdo herë jam munduar të jap maksimumin dhe të kontribuoj për ekipin. Shumë e rëndësishme është që ne të ecim sa më lart dhe të fitojmë ndeshjet. Normalisht, prej çdo sulmuesi priten golat, kështu që me gola dhe fitore do të isha edhe më i kënaqur. Por, e rëndësishme mbetet që ekipi të ecë përpara dhe ta arrijmë atë objektiv që e kemi të gjithë së bashku.”
…gjendja e grupit dhe rezultati i synuar…
Artim Pollozhani: “Grupi është i plotë dhe i gjithi i gatshëm për t’iu përgjigjur një ndeshjeje të tillë. Sigurisht që duhet të japim të gjithë maksimumin, sepse në Kupat e Europës nuk ka kundërshtarë të lehtë. Loja bëhet e lehtë nëse ne japim maksimumin, por mund të bëhet edhe jashtëzakonisht e vështirë nëse nuk dalim 100% të përqendruar, fillimisht për të menduar për ndeshjen e parë, e pastaj për atë të kthimit. Sa i përket rezultatit, trajnerin e Shkëndijës gjithmonë duhet ta kënaqin vetëm fitoret. Ne jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë, por objekti kryesor mbetet fitorja.”
…motivimi dhe fusha sintetike…
Besart Ibraimi: “E rëndësishme është që ne të jemi seriozë dhe të japim maksimumin. Normalisht që në fusha me bar natyral për lojtarët është më mirë, por nëse je i motivuar dhe nëse e merr lojën me seriozitetin e duhur, besoj që nuk do ta kemi problem.”
…roli i stafit teknik në motivimin e ekipit…
Artim Pollozhani: “Patjetër që motivimi nga stafi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por unë mendoj se ka një detaj tjetër, motivimi brenda vetë grupit. Nëse grupi do të jetë i motivuar nga brenda, ai motivim që vjen midis lojtarëve me njëri-tjetrin është i jashtëzakonshëm. Sidoqoftë, edhe stafi duhet të bëjë pjesën e vet të punës në anën psikologjike, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme.”

