
Kuqezinjtë të martën në Shkup presin kampionin e Azerbajxhanit, Qarabağ FK, ndërsa për pritjet nga ky duel para mediave folën trajneri Beqiri dhe kapiteni Ibraimi.
• Beqiri: Qarabagu është ekip shumë serioz, 11 tituj në 12 kampionatet e fundit
• Ibraimi: Nëse luajmë si me TNS dhe FCSB, kalojmë mirë edhe me Qarabag-un
• Beqiri: Besoj se do ti kemi shanset tona, të jemi shumë të fokusuar dhe cinikë
• Ibraimi: Falënderim “Ballistëve” që ishin në Rumani, i presim nesër në numër të madh
Me minimum grupet e Conference League të siguruara, Shkëndija pa presion psikologjik nesër mbrëma në Shkup do të kërkojë të shkruajë një faqe të re në historinë e saj, pasi përballë Qarabağ FK të Azerbajxhanit synon tjetër surprizë europiane. Kuqezinjtë të martën si vendas zhvillojnë ndeshjen e parë të raundit të tretë eliminator të UEFA Champions League. Ndeshja luhet nga ora 20:00 në Arenën “Todor Proeski” në Shkup.



Jeton Beqiri: “Normalisht çdo skuadër në Kupat e Europës i ka cilësitë e veta, pavarësisht a është Qarabagu apo bëhet fjalë për ndonjë skuadër tjetër. Është e rëndësishme që ne të jemi në nivelin maksimal si skuadër dhe pastaj duke bërë analiza gjatë javës, duke analizuar pikat e forta të atyre, do të mundohemi që ti neutralizojmë dhe do të mundohemi që nga rastet e krijuara ti shfrytëzojmë ato”.
Besart Ibraimi: “Unë besoj që nëse e japim maksimumin si në ndeshjet ndaj TNS-së dhe FCSB-së, shpresoj që edhe Qarabag nuk është ndonjë ekip nuk mundet ta kalojmë. Normal ata janë favorit, por e rëndësishmja është që ne jemi të gatshëm, jemi një grup i mirë, punojmë fortë, e kemi analizuar ekipin kundërshtar dhe besojmë që do të bëjmë diçka më të mirë”.
Jeton Beqiri: “Bisedohet për një skuadër jashtëzakonisht shumë serioze, një skuadër e cila nga 12 kampionatet e fundit, ka fituar 11-të. Diskutohet për një skuadër që ka një trajner që udhëheq ekipin për 17 vite rresht, që është diçka e jashtëzakonshme, me një trajner shumë serioz dhe shumë të mirë. Por, ne duke e respektuar kundërshtarin, nuk do të harrojmë në asnjë moment që të respektojmë edhe veten. Të dalim të bëjmë maksimumin, të respektojmë fanellën dhe në të njejtin moment është shumë e rëndësishnme që të bëjmë një paraqitje në nivelin më të lartë tonin, për shkak se ndeshjet e Ligës së Kampionëve nuk fitohet ose nuk luhen duke qenë në nivel më poshtë. Unë edhe pas ndeshjes së parë me Steauan, nuk isha i kënaqur me lojën dhe e dija që për të kaluar, duhet të luajmë më mirë dhe besoj që normalisht do ti kemi shanset tona, duhet të jemi shumë të fokusuar, duhet të jemi shumë agresiv dhe duhet të mundohemi që rastet të cilat do të na paraqiten, ti shfrytëzojmë një nga ato”.
Besart Ibraimi: “Presionin e kishim me TNS-në në ndeshjen e parë. Presion ndaj Steauas nuk e kishim, e dhamë më të mirën dhe shpresoj që presion ndaj Qarabagut të mos kemi ne. Çdo gjë që na vjen, do të jetë më e mirë për ne. Ne jemi të gatshëm edhe për këtë ndeshje edhe të kemi pak fat, pse mos ti eliminojmë. Dua ta them, se Qarabag është ekip cilësore, është favorit, por nuk fiton çdo herë favoriti”.
Jeton Beqiri: “Unë mendoj se futbolli 90 minuta sjell edhe situata ofanzive, por sjell edhe situata defanzive. Ne jemi skuadër e cila, mundohemi të japim maksimumin. Normalisht ka situata që do të jemi shumë agresiv në sulm dhe ka situata që duhet të mbrohemi mirë. Por, megjithatë duhet të mendojmë dhe shpresojmë që të shënojmë, kjo është më e rëndësishmja, qoftë në Shkup, qoftë në Baku në ndeshjen e kthimit”.
Besart Ibraimi: “I falenderoj tifozët që na përkrahën me Steauan, po ashtu lojtarin e 12-të Ballistët. Shpresoj edhe nesër të jetë një numër sa më i madh edhe ktu, ku me përkrahjen e atyre, besoj që do të na i lehtësojnë ëndrrën që e kemi të gjithë së bashku”.
Jeton Beqiri: “Nuk do të doja të bëjë krahasim ndërmjet ekipit të Qarabagut dhe Steauas për shkak se bisedohet për tipe të ndryshme të skuadrave. Unë besoj se forca e skuadrës së Qarabag-ut është trajneri i tyre dhe disa futbollist të cilët janë moti kohë bashkë dhe e bëjnë ekipin shumë serioz. Ne duhet ti respektojmë, patjetër se ua japim rolin e favoritit atyre, por fusha pastaj është diçka tjetër, aty luhen 90-të minuta dhe aty duhet të japësh maksimumin dhe duhet të provosh gjithçka për gjithçka”.
Jeton Beqiri: “Kanë një portier kroat. Gjithmonë kanë lojtarë nga Ballkani. Janë një ekip me eksperiencë, janë ekip që edhe lojtar nga Maqedonia dhe Shqipëria kanë luajtur atje. Janë skuadër që investon shumë, por nuk besoj se këto detaje ndikojnë tek ndeshja. Futbolli gjithmonë përbëhet nga shumë komponenta, një ndeshje ka shumë histori, ka VAR, ka kartona të kuq, ka gabime individuale, ka gabime grupore, mund të ketë një natë të keqe, mund të ketë një natë përfekte, do të thotë në futboll gjithçka është e pritshme. Ne do të shpresojmë dhe punojmë me futbollistët që ne të jemi gjithmonë me këmbë në tokë, të jemi shumë të urritur, të jemi shumë serioz dhe në qoftë se nuk do të dështojmë në këto dhe normalisht mos ta mbi vlersojmë shumë kundërshtarin, por vetëm ta respektojmë dhe kur të dalim në fushë të japim më të mirën. Besojmë në aftësitë dhe cilësitë tona se mund të marrim rezultat pozitiv”.
Jeton Beqiri: “Është e rëndësishme të mendojmë vetëm për kundërshtarin e radhës. Dhe vetëm pas përfundimit të ndeshjes së dytë në Baku, atëherë do të mendojmë për kundërshtarin e ardhshëm, të cilin shpresojë ta kemi në Ligën e Kampionëve”.

