
Shkëndija të enjten në Shkup ndeshet me kampionin e Bullgarisë, Ludogorets, ndërsa për pritjet nga ky duel para mediave folën trajneri Beqiri dhe mesfushori R. Ramadani.
• Beqiri: Kemi kundërshtar serioz dhe me shumë eksperiencë të fuqishme para nesh
• R. Ramadani: Në ekip atmosfera është shumë e mirë, gati të japim më të mirën
• Beqiri: Përveç TNS-së, rivalët tjerë evropian këtë vit ishin të nivelit shumë të lartë
• R. Ramadani: Presim ndeshje të luftuar, do jetë e vështirë, por ne do të japim maksimumin
Kuqezinjtë sonte me seancën e fundit stërvitore mbyllin përgatitjet për ndeshjen e parë të play off-it të UEFA Europa League, përballë Ludogoretsit të Bullgarisë e cila luhet nesër në mbrëmje në Arenën “Todor Proeski” në Shkup me fillim në orën 20:00.
Jeton Beqiri: “Normalisht që ndeshjet janë afër njëra-tjetrës dhe hapësira për tu përgatitur nuk janë ideale për shkak të fillimit të kampionatit, por ne jemi të detyruar që çdo ndeshje ta marrim me seriozitetin maksimal si në Kupat e Europës ashtu edhe në kampionat. Besoj se jemi dhe duke e bërë atë, kemi kundërshtar serioz dhe me shumë eksperiencë të fuqishme para nesh, por unë doja të them që përveç që u përballëm në xhiron e parë ndaj TNS-së, gjithë ekipet tjera si Steaua e Bukureshtit apo edhe Qarabag dhe kundërshtari i nesërm, janë ekipe të nivelit të lartë, ku disa vite me radhë, marrin pjesë në grupe të kompeticioneve evropiane. Shpresoj që ekipi të japë maksimumin dhe jam i sigurt që do bëjnë paraqitjet të mirë për shkak se përveç ndeshjes që kemi zhvilluar me ekipin e Qarabgut, besoj që ndeshjet tjera do jenë të pranueshme nga ana e skuadrës dhe shpresoj që nesër do kemi një paraqitje pozitive”.


Reshat Ramadani: “Kemi atmosferë të mirë në ekip. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës dhe me shumë fokus dhe përkushtim do të kërkojmë të nxjerrim më të mirën përballë një kundërshtari të fortë, pasi edhe ne i kemi cilësitë tona”.
Jeton Beqiri: “Do të thotë, me ndërrimin e sistemit të ligave nga UEFA, besoj që tani edhe tensioni është më i vogël tek futbollistët, për shkak se ne kemi të siguruar tanimë një kompeticion, siç është Liga e Konferencës, po ne duhet të tentojmë akoma më shumë. Ato kundërshtarë, të cilët i ka pasur Shkëndija në vitet e kaluara, kanë qenë kundërshtarë të fortë, ashtu siç është kundërshtari i fortë edhe ekipi i Ludogoretsit, por ne jemi të detyruar të bëjmë diçka, të japim maksimumin dhe të mundohemi që të mbajmë rezultat pozitiv, pavarësisht se edhe lodhja ndihet edhe normalisht edhe dëmtimet e vogla që fillojnë kohë pas kohe paraqiten, që janë normale në të gjitha ekipet tjera europiane. Por detyrimi jonë është që të japim maksimumin dhe të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme nesër”.
Reshat Ramadani: “Presim një ndeshje të luftuar, e dijmë se është e vështirë, por ne do të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv”.

