Konferenca për shtyp para ndeshjes së parë me Hibernianin

Trajneri Artim Pollozhani i bashkohet skuadrës ditën e ndeshjes për shkak të vonesave me vizën, ndërsa në konferencë u paraqitën ndihmëstrajneri Kushtrim Voka dhe sulmuesi Fabrice Tamba.

  • Voka: Kundërshtari ka profil fizik, por jemi të gatshëm të përgjigjemi dhe kërkojmë rezultat pozitiv
  • Tamba: Përballja me Hibernianin është një sfidë e madhe, jemi shumë të motivuar
  • Voka: Kemi eksperiencë në Europë, fokusin e kemi plotësisht te detyrat brenda fushës
  • Tamba: Jemi mësuar të luajmë në atmosfera të tilla, do të japim maksimumin

Ndeshja e parë e raundit të tretë eliminator në UEFA Conference League ndërmjet Hibernianit dhe Shkëndijës luhet të enjten në Edinburgh, me fillim në orën 21:00 (sipas kohës sonë lokale). Për shkak të vonesës me dokumentacionin e vizës, trajneri Artim Pollozhani do t’i bashkohet skuadrës ditën e ndeshjes, ndërsa në konferencën zyrtare për shtyp para gazetarëve u paraqitën ndihmëstrajneri Kushtrim Voka dhe sulmuesi Fabrice Tamba.

…për përballjen me Hibernianin dhe përgatitjen e ndeshjes…

Kushtrim Voka: “Për arsye të dokumentacionit, profesori nuk ka mundur të jetë i pranishëm sot dhe për këtë arsye ndodhem unë para jush për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja. Sa i përket kundërshtarit me të cilin balafaqohemi, do ta cilësoja pak si specifik për shkak të profilit pak më fizik, shkak ky i futbollit britanik. Por të jeni të bindur që do të përgjigjemi, kjo është e para. Dhe e dytë, kërkesat e profesorit, edhe pse nuk është në mesin tonë aktualisht, janë të qarta dhe mbetet vetëm interpretimi ditën e nesërme me bindjen dhe besimin se kthehemi në shtëpi me rezultat pozitiv.”

…për sfidën ndaj Hibernianit dhe njohuritë mbi kundërshtarin…

Fabrice Tamba: “Kemi ardhur me një motivim shumë të madh dhe sigurisht që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne të balafaqohemi me një ekip si ky. Nuk di shumë gjëra për ekipin, por kam dëgjuar shumë për ta, kështu që nuk ishte me të vërtetë ndonjë surprizë kur pashë emrin kur po bëheshim gati t’i përballnim pas ndeshjes së kaluar. Sigurisht që është një sfidë e madhe për ne.”

…për përballjen me presionin e tifozëve vendas në Edinburgh…

Kushtrim Voka: “Patjetër që pjesa e tifozërisë është e rëndësishme, por mos harrojmë që ne e kemi përvojën e përballjes me tifozë, duke marrë parasysh se edhe vitin e kaluar jemi përballur me Steauan dhe klube të tjera të mëdha të nivelit të lartë. Mënyra profesionale se si ne i qasemi publikut ose pjesës së jashtme është që ne merremi vetëm me detyrat dhe me fushën. Patjetër se ato janë të rëndësishme, por fokusi ynë është plotësisht në fushë.”

…për lojën para publikut skocez…

Fabrice Tamba: “Mendoj se nuk do të jetë hera e parë që përballemi me një numër të madh të publikut, sepse kemi luajtur disa ndeshje të mëdha me shumë tifozë sezonin e kaluar. Kështu që nuk do të jetë diçka e re për ne, jemi mësuar të luajmë në këtë lloj atmosfere.”

…për mesazhin e tij për tifozët skocezë dhe paraqitjen në fushë…

Fabrice Tamba: “Mendoj se nga tani, gjëja më e mirë që mund të them është të presim të shohim nesër për të marrë mendimin e tyre. Mendoj se është më mirë kështu, sepse ata janë tifozët. Shpresoj që nesër të jem në maksimumin tim dhe të jap më të mirën time, e më pas do të shohim.”

…për përvojën në garat europiane dhe synimet e skuadrës…

Kushtrim Voka: “Së pari, pjesëmarrja në grupet e Conference League vitin e kaluar është për meritë të lojtarëve që kanë qenë dhe kryesisht të stafit paraprak. Unë nuk kam qenë i pranishëm dhe ndoshta nuk jam personi më i duhur për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, por ajo që mund të them është se kur erdha, gjeta një klub të rritur në çdo aspekt.”

…për rrugëtimin në Europë dhe krahasimin me fazën e grupeve…

Fabrice Tamba: “Gjithmonë them se kjo pjesë e garës është si një ‘triler’ para filmit. Sezonin e kaluar ishim tashmë në film, në garën zyrtare. Sigurisht që erdhëm nga një rrugë tjetër, erdhëm nga Liga e Kampionëve për t’u kualifikuar në Conference League, por këtë vit është ndryshe. Nuk do të thoja se është më e vështirë, por është si trileri para filmit, megjithatë ne e njohim tashmë filmin.”

…për stilin e lojës që do të aplikojë Shkëndija…

Kushtrim Voka: “Sa i përket pjesës se çfarë mund të presim: e para është përgjigjja, definitivisht që do të përgjigjemi. E dyta, patjetër që ne kemi stile të ndryshme loje mes Shkëndijës dhe kundërshtarit, Hibernianit. Ajo që do të jetë si synim nesër është që ne të instalojmë stilin tonë të lojës ndaj kundërshtarit.”

…për gjendjen e skuadrës dhe mungesat…

Kushtrim Voka: “Ekipi është plotësisht i gatshëm. Patjetër që në mesin e grupit ka shqetësime Dimoski, i cili nuk do të jetë për gjendje loje, ndërsa pjesa tjetër është komplet e gatshme. Mos harrojmë, duke iu referuar edhe kundërshtarëve paraprakë, këtë ekip e dallon forca e grupit dhe, siç e ka thënë edhe profesori në konferencat e mëhershme, jo rastësisht ndryshimi i rezultateve është bërë nga zëvendësimet dhe rritja e grupit.”

Share

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

go top