
Trajneri Pollozhani dhe mbrojtësi i djathtë Trumçi folën para mediave per pritjet nga ndeshja me Hibernianin të enjten në Shkup nga ora 20:00.
- Pollozhani: Kemi pasur ngarkesë javën e fundit, por jemi gati për ndeshjen e kthimit
- Trumçi: Atmosfera është pozitive pas fitores në derbi, kërkojmë kualifikimin
- Pollozhani: Kundërshtari është i fortë fizikisht dhe taktikisht, kërkohet përqendrim 100%
- Trumçi: Kemi analizuar gabimet nga ndeshja e parë, do të japim maksimumin
- Pollozhani: Nuk krijojmë alibi me kushtet klimatike, fokusohemi te loja në fushë
Ndeshja e kthimit e raundit të tretë eliminator në UEFA Conference League ndërmjet Shkëndijës dhe Hibernianit luhet të enjten në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, me fillim në orën 20:00. Pas humbjes 2:1 në ndeshjen e parë në Edinburgh, kuqezinjtë kërkojnë përmbysjen e rezultatit për të siguruar kualifikimin në etapën ‘play-off’. Në konferencën zyrtare për shtyp para gazetarëve u paraqitën kryetrajneri Artim Pollozhani dhe mbrojtësi i djathtë Aleksandër Trumçi.
…orari dhe ngarkesa nga ndeshjet …
Artim Pollozhani: “Sigurisht që ka pasur ngarkesë gjatë kësaj jave, për vetë faktin që ditën e enjte kemi pasur një ndeshje të rëndësishme me një ritëm të lartë në Kupat e Evropës. Ekipi është kthyer pastaj menjëherë pas ndeshjes direkt, kemi pasur derbi praktikisht ditën e diell me një orar që s’e kuptoj edhe në këtë moment që flasim pse duhet të bëhet në atë orar e në ato temperatura të larta. Por që, fatmirësisht për ne, e kemi kaluar mendoj mirë edhe jemi munduar që të ruajmë forcat për ndeshjen e kthimit. Siç e thatë ju, është një ndeshje e rëndësishme për vetë aspektin e saj që të çon në play-off në Conference League dhe je afër pastaj me një-dy ndeshje me atë objektiv që ne duam ta përjetojmë për herë të dytë, grupet e Conference League-ës.”
…atmosfera pas fitores ndaj Vardarit…
Aleksandër Trumçi: “Atmosfera është pozitive në ekip. Normalisht që pas ndeshjes që kishim, derbin me Vardarin, është një atmosferë më e mirë në ekip, pasi kishim një ndeshje direkte për kampionat dhe ishte një ndeshje e rëndësishme ku arritëm ta fitonim dhe ta dominonim. Kthehemi te ndeshja e radhës nesër ku synimi ynë është fitorja dhe të kualifikohemi për raundin tjetër. Pasi edhe në Skoci kishim një ndeshje të mirë, por me pak fat do të kishim pasur një rezultat më pozitiv. Shpresojmë që nesër të jemi pak më cinikë dhe të arrijmë të kualifikohemi.”
…përballja e dytë me Hibernianin…
Artim Pollozhani: “Patjetër që do të jetë një ndeshje e fortë, duke parasysh që kemi një kundërshtar që vjen nga një kampionat ku fiziku është primar. Unë mendoj që nëse nuk jemi 100% ose nuk luftojmë për çdo top e për çdo cep të fushës, do ta kemi të vështirë. Bëhet fjalë për një ekip që luan taktikisht e fizikisht jashtëzakonisht mirë dhe tranzicionet pozitive i ka të shpejta, kështu që mund të na vështirësojë në këto aspekte. Por është normale që ne të japim gjithçka nga vetja, sepse bëhet fjalë për turin e tretë dhe për play-off-in e Conference League. Sigurisht që edhe ne kemi planet tona dhe cilësinë në ekip që mendoj se mund të përballojë një ndeshje të tillë, eksperiencën patjetër po, duke marrë parasysh Kupat e Evropës ndër vite si klub. Kështu që nuk na mungon asgjë për të bërë një performancë të mirë e pastaj patjetër që dëshirojmë të kualifikohemi.”
…analizën dhe përgatitjen taktike…
Aleksandër Trumçi: “Mendoj se Hiberniani është një ekip cilësor dhe ka elementë cilësorë në skuadër. E kemi parë që ka fituar ndeshje të vështira në kampionat, por ne fokusohemi te ndeshja jonë e nesërme dhe jemi përgatitur mjaft mirë. I kemi analizuar të gjitha si gabimet, ashtu edhe gjërat e mira që kemi bërë në Skoci. Për ne synimi është të futemi në fushë e të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.”
…ndikimi i temperaturave dhe kushtet klimatike…
Artim Pollozhani: “Çështja është se ne nuk duhet të bëjmë analizë të kundërshtarit bazuar te kushtetqq klimatike. Ne bëjmë një analizë të përgjithshme për kundërshtarin sepse nuk duhet të krijojmë alibi me çështjen e temperaturave apo shiut. Analiza bëhet duke marrë parasysh një kundërshtar që ne mendojmë se mund t’u përshtatet kushteve të tilla. A mund të jetë në avantazhin tonë? Me një përqindje të vogël besoj se po, por nuk do të kemi diçka të lehtë. Përkundazi, do të jetë super ndeshje e vështirë dhe ne duhet të marrim masat. Analiza bëhet praktikisht në atë që ekipi kundërshtar paraqet në fushën e lojës, sepse është ekip profesionist dhe ekipet profesioniste përshtaten shpejt.”
…ndryshimi i kampionatit dhe Evropës…
Artim Pollozhani: “Specifikat e kampionatit dhe të Kupave të Evropës ndryshojnë, sepse kampionati është maratonë, kurse Kupat e Evropës janë me eliminim. Ajo që pamë ne te kundërshtari është se lojtarët e sulmit i kishin në stol. Kjo ka dy gjëra: ose besojnë shumë te lojtarët e stolit, ose nuk duan t’i ngarkojnë në kampionat që të jenë të gatshëm për Evropë. Nga kjo pjesë ne kemi marrë masa patjetër, duke i studiuar si lojtarët që janë në formacion, ashtu edhe ata që futen. Bëhet një analizë e përgjithshme se si mund të veprojë një kundërshtar që luan me eliminim direkt.”
…qasja psikologjike dhe taktike…
Artim Pollozhani: “Sigurisht që ana psikologjike është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë ndeshje, por nuk duhet harruar edhe komponentët e tjerë si ana fizike, teknike apo taktike. Nuk duhet të luajmë me kohën në nxitim, duhet të jemi të qetë te manovra jonë që do të kërkojmë nesër. Dhe pastaj, duke parë zhvillimin e ndeshjes, do të fokusohemi te ajo që do na sjellë loja. Neve na duhet një gol për të shkuar në vazhdime, por pse jo edhe ta mbyllim brenda 90 minutave. Do të jetë një ndeshje ku gjatë gjithë kohës do të duhet vëmendje dhe të shohim se çfarë masash do të marrim gjatë rrjedhës së minutazhit.”
…si pritet të luajë kundërshtari…
Artim Pollozhani: “Nuk e di se si mund të veprojë kundërshtari. Ndoshta, duke pas parasysh mentalitetin dhe kampionatin ku luajnë, nuk besoj se do të mbrohen. Por patjetër që ne kemi marrë masat nëse do të na përgjigjen si në Skoci apo siç iu përgjigjën Rangers-it në kampionat. Këto janë çështje që shihen gjatë ndeshjes. Mund të lexosh lojën se si një kundërshtar që ka avantazhin e një goli nga ndeshja e parë do të vazhdojë ndeshjen e kthimit. Ne do të shohim nesër gjatë lojës se si do të veprojnë, dhe kemi planin tonë nëse do të mbrohen apo nëse do të luajnë me stilin që kanë aplikuar gjatë kësaj periudhe.”

